Lidhje

Kosovë: EULEX i gatshëm të fillojë hetimet për pretendimet e Dik Martit


Kosovë: EULEX i gatshëm të fillojë hetimet për pretendimet e Dik Martit
Kosovë: EULEX i gatshëm të fillojë hetimet për pretendimet e Dik Martit

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë është shprehur i gatshëm të hetojë të gjitha pretendimet e ngritura nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti për siç është thënë, përfshirjen e ish drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veprimtari kriminale, mes tjerash edhe trafikimin e organeve njerëzore. Këto komente janë bërë si kundërpërgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga zoti Marty se EULEX-i nuk është i aftë të hetojë trafikimin e organeve njerëzore.

Në disa paraqitje të ditëve të fundit nëpër media të ndryshme, zoti Marti citohet të ketë thënë se për hetimin e rastit të trafikimit të organeve, duhet të krijohet një strukturë ‘ad hoc’, e drejtësisë që nuk është e vendosur në Kosovë. Ai ka shprehur mosbesimin që EULEX-i, në mënyrën sesi është duke operuar sot dhe mënyrën sesi është organizuar, mund të kryejë një hetim. Zoti Marti citohet të ketë thënë se strukturat e drejtësisë vendase apo ndërkombëtare në rajon, nuk kanë qenë në gjendje të mbrojnë dëshmitarët. Sa herë që ka një rast të nivelit të lartë, ose një rast që prek një hierarki të caktuar në nivelin kriminal, dëshmitë nuk janë bërë vetëm të vështira, por të pamundura të sigurohen. Dëshmitarët dhe familjarët e tyre janë frikësuar dhe disa janë vrarë”.

Duke iu përgjigjur këtyre pohimeve zyrtarë të EULEX-it thanë se i marrin shumë seriozisht pohimet e bëra në raportin e zotit Marti. Ata thanë se EULEX-i ka mundësitë, ekspertizën, dhe juridiksionin për ta bërë hetime dhe si një hap teknik fillestar, prokurorët e EULEX-it i kanë nisur hetimet e para.

EULEX-i u bën thirrje të gjitha organizatave dhe individëve përkatës, duke përfshirë Dik Martin, që t’i paraqesin të gjitha dëshmitë që i kanë në lidhje me këto akuza të rënda. Duke shprehur mirëkuptim për shqetësimet lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve në rajon, misioni shpreh besimin e në njësinë e tij të posaçme për mbrojtjen e dëshmitarëve. Përvoja tashmë ka treguar se ajo është në gjendje që të merret me rastet e ndjeshme. Si një mision për sundimin e ligjit, EULEX-i, punon në bazë të fakteve dhe dëshmive, pa të cilat nuk mund të bëhet ndjekja penale, thuhet në qëndrimin e këtij misioni duke nënvizuar se me marrjen e informatave të tilla prokurorët e EULEX-it janë të gatshëm ta nisin punën menjëherë.

Zoti Marti, nxiti reagime me zemërim në Kosovë me pretendimet se udhëheqës të lartë të Ish Ushtrisë Çlirimtare dhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë edhe trafikimin e organeve njerëzore. Të martën Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë për këtë raport duke kërkuar hetimin e plotë të të gjitha pretendimeve. Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe qeveria e Kosovës duke garantuar mbështetjen e plotë të institucioneve të saj.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG