Lidhje

Kosovë: Pakicat përballen me probleme pas deportimeve


Kosovë: Pakicat përballen me probleme pas deportimeve
Kosovë: Pakicat përballen me probleme pas deportimeve

Pjesëtarë të bashkësisë rome në Kosovë reaguan ndaj deportimit nga vendet perëndimore, për shkak të asaj që një organizatë e të drejtave të njeriut e quan diskriminim ndaj tyre. Organizata Human Rights Watch i bëri komentet dje në një raport ku flet për probleme serioze të të drejtave të njeriut me të cilat përballen romët që kanë imigruar në Perëndim gjatë dekadës së kaluar. Raporti thotë se romët dhe pakicat e tjera të kthyera mbrapsht në Kosovë kanë vështirësi për të marrë dokumenta indentifikimi, të drejtat e pronësisë dhe në aspekte të tjera.

Në Istok të Kosovës perëndimore, Tafë Vuqinaj, pjestar i pakicës egjiptiane, tregon historinë e deportimit të tij nga Gjermania, një histori e ngjashme me atë të qindra të tjerëve, jeta e të cilëve është prishur nga vala e kthimeve me forcë të imigrantëve nga vendet e Bashkimit Evropian.

Zoti Vuqinaj ka jetuar 10 vjet në Gjermani, ku punonte në mënyrë të paligjshme në një restorant pranë Shtutgartit.

Familja e tij e madhe është tani e shqetësuar sepse ka mbetur pa mjete jetese:

"Çdo gjë që kishim e kishim prej tij,” thotë e bija e tij 21-vjeçare Sebahetja.

"Ai ishte i sëmurë por na ndihmonte nga pak. Por tani që është kthyer në Kosovë, ai nuk ka punë. Jeta jonë si familje është shumë e vështirë, sepse jemi 8 vetë pa punë."

Vitetet e fundit, dhuna me motive etnike në Kosovë ka patur rënie por incidente dhune ndodhin ndonjëherë mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërkohë që pakicat e tjera përjetojnë pasojat.

Në vitin 2004, pjestarë të pakicës rome u sulmuan gjatë tri ditëve të trazirave anti-serbe në Kosovë që lanë dhjetra të vdekur. Kjo bëri që shumë romë të largoheshin nga Kosova.

Një pjesë e tyre sot jetojnë në dy kampe refugjatësh të ndërtuar nga OKB-ja në veriun e Kosovës, ku ka patur helmime për shkak të plumbit nga një fonderi aty pranë.

XS
SM
MD
LG