Lidhje

Analistët: Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të vazhdojnë


Analistët: Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të vazhdojnë
Analistët: Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të vazhdojnë

Gjatë një seance dëgjimore të Komisionit Amerikan të Helsinkit, analistët thane se bisedimet Kosovë-Sërbi duhet të vazhdojnë dhe Nato nuk duhet të pakësojë numrin e trupave në Kosovë. Analisti i çështjeve të Ballkanit Ivan Vojvoda tha se ekziston një vullnet politik nga pala kosovare dhe sërbe për zgjidhjen e çështjeve praktike që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve atje. Kolegu ynë Festim Gashi sjell hollësitë.

Analistët dhe anëtarët e Komisionit Amerikan të Helsinkit në diskutimin e zhvilluar mbi situatën në Ballkan në prag të takimit të nivelit të lartë të Natos, që do të zhvillohet në muajin maj në Çikago, thanë se vendet e Ballkanit duhet të intensifikojnë përpjekjet për t’u anëtarësuar në Nato dhe Bashkimin Evropian. Gjatë diskutimit mbi Kosovën ata thanë se bisedimet Kosovë-Serbi duhet të vazhdojnë.

Analisti i çështjeve të Ballkanit, Ivan Vojvoda tha se autoritetet e Serbisë dhe Kosovës e kanë kuptuar se mosmarrëveshjet nuk mund të zgjidhen përmes dhunës. Prandaj, sipas tij, në këto dy vende ekziston vullneti për t’i zgjidhur mosmarrveshjet përmes dialogut pasi ky është një nga kushtet për anëtarësim ne NATO dhe BE. Zoti Vojvoda përmendi planin katër pikësh të zotit Tadiç duke thënë se presidenti serb e kupton që ndarja ose dhuna nuk do të çojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

“Presidenti Tadiç veçanërisht në javët e fundit ka qenë shumë i qartë rreth synimeve të tij. Ai ka thënë se zgjidhja e çështjeve duhet të kënaqë sërbët, shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar. Pra, ky është një pranim i realitetit në terren ndërkohë që Serbia vazhdon të mbajë qëndrimin parimor të mosnjohjes i cili nuk duhet të jetë pengesë për gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe të mundshme për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe sërbëve në një situatë të vështirë ekonomike për të gjithë. Mendoj se të dyja palët janë të vetëdijshme se askush nuk do të përfitojë nëse situata vazhdon të jetë e njejtë”.

Në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë, analistja Nida Gilazis e cila punon në Qendrën Ndërkombëtare Woodrow Wilson, tha se reagimi i dhunshëm i policisë së Kosovës ndaj protestuesve është dëshmi se ajo nuk është gati të marrë në dorë kompetencat mbi sigurinë nga KFOR-i.

“Reagimi i dhunshëm ndaj protestuesve nga ana e policisë kosovare që ndodhi fundjavën e kaluar nuk na jep besim se policia lokale është e aftë të marrë kompetencat e sigurisë nga NATO”.

Analistët thanë se Nato duhet të vazhdojë praninë e saj në Kosovë derisa institucionet vendase do të jenë të afta të marrin përgjegjësitë për sigurinë. Duke marrë parasysh gjendjen në veri të Kosovës, ata thanë se Nato nuk duhet të pakësojë numrin e trupave atje. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Eliot Engel u shpreh kundër pakësimit të trupave të Natos në Kosovë. Ai këkoi rritjen e numrit të trupave amerikane atje.

“Bllokimi i rrugëve dhe ngjarjet e tjera në veri të Kosovës i kanë treguar botës se tani nuk është koha që vendet t’i tërheqin trupat nga Kosova. Në fakt unë besoj që ndërkohë që vendi ynë po tërheq trupat nga Iraku dhe pjesë tjera të Evropës, ky është moment i mirë për të dërguar disa batalione në kontingjentin amerikan të trupave në Kosovë. Atje kemi një bazë të mirë që ka hapësirë të mjaftueshme për trupat tona dhe kosovarët duan që ne të qëndrojmë atje.”

Në seancë u tha se Bosnja, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë për përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE dhe duhet të mësojnë nga Kroacia e cila pritet të bëhet anëtare e BE-së vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG