Trafiku i mallrave dhe i udhëtarëve mes Kosovës dhe Serbisë është i ndërlikuar sepse Beogradi nuk i njeh dokumentet e lëshuara nga Prishtina. Kjo duket më së miri në pikëkalimin kufitar të Merdares ku shoferëve të Kosovës u duhet të ndërrojnë targat e automjeteve për të kaluar në anën tjetër. Pikërisht këto janë disa nga çështjet praktike që u duhet të zgjidhin dy vendet dhe nga të cilat do të kishin të dy përfitim.
Pasi kalojnë kufirin në Merdare, shoferëve të Kosovës u duhet të ndalen, të ndryshojnë targat e kamionëve, të fshehin dokumentat e lëshuara nga autoritetet kosovare dhe t’u paraqesin doganave serbe dokumente dhe pasaporta të ndryshme.
Ky teatër me dokumente dhe targa të dyfishta mu përballë syve të doganierëve nuk është gjë tjetër veçse pasojë e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Beogradi.
Praktika të tilla mund të marrin fund nëse dy vendet vendosin të hyjnë në bisedime për çështjet praktike në muajt e ardhshëm.
Javën e kaluar, Serbia njoftoi se do të negocionte me Prishtinën si pjesë e përpjekjeve të saj për t’u anëtarësuar një ditë në Bashkimin Evropian.
Shkelzen Osmani, është drejtor i doganës në pikëkalimin e Merdares.
"Vështirësitë kryesore në këtë pikëkalimi kufitar janë pasojë e rrethanave të njohura politike. Shteti serb nuk njeh dokumentet me logot dhe vulat e shtetit të Kosovës".
Ai thotë se njerëzit kanë dy lloje dokumentesh, një palë për zyrtarët e Kosovës dhe një palë për palën serbe në anën tjetër të kufirit.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia ka bllokuar të gjitha mallrat me vula kosovare dhe nuk lejon udhëtarë me pasaporta ose targa të Kosovës.
Por në zonat veriore me shumicë serbe ku nuk ka kontrolle kufitare, shoferët e kamionëve mund të marrin dokumente serbe që mund të përdoren në çdo pikë kalimi. Targat e përkohshme kushtojnë 35 euro për tri ditë.
Alban Zogaj është ekonomist në Institutin Riinvest të Prishtinës.
"Arësyeja kryesore që Serbia krijon këto probleme është që Kosova të mos funksionojë si shtet normal.”
Vlera e eksporteve të Kosovës është vetëm një e dhjeta e importeve të saj ndërsa eksportet serbe në Kosovë kapin çdo vit 220 milion euro. Në eksportet drejt Kosovës, Serbia zë vend të dytë pas Maqedonisë.
Mosmarrëveshjet pasojë e së kaluarës shtrihen edhe në qiell. Çdo aeroplan që fluturon drejt aeroportit të Prishtinës ose që del prej tij nuk lejohet të kalojë në hapësirën ajrore serbe. Radari në aeroportin e Prishtinës tregon gjithashtu se si avionët që fluturojnë në gadishullin ballkanik i shmangen hapësirës ajrore të Kosovës.
Agon Krasniqi, është drejtor i navigacionit në Aeroportin e Prishtinës.
Agon Krasniqi, drejtor i navigacionit, Aeroporti i Prishtinës
"Për shkak të rrugës së gjatë, kostoja e kompanive ajrore me destinacion Kosovën është rreth 30 përqind më e lartë.”
Kosova humbet 12 milion euro çdo vit për shkak të bllokadës nga Serbia.
Po kështu, për shkak të refuzimit të Serbisë, Kosova nuk mund të ketë kodin e saj telefonik dhe është bllokuar nga anëtarësimi në shumë organizata ndërkombëtare.
Lidhjet hekurudhore drejt veriut nuk funksiojnë që nga viti 1999.