Lidhje

Kosovë: Thirrje për ruajtjen e rendit në Shqipëri


Kosovë: Thirrje për ruajtjen e rendit në Shqipëri
Kosovë: Thirrje për ruajtjen e rendit në Shqipëri

Zhvillimet në Shqipëri po ndiqen më interesim të madh në Kosovë dhe me thirrjet për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe shmangien e akteve të dhunës. Në të gjitha reagimet e institucioneve dhe partive politike shprehet keqardhja për humbjen e jetëve njerëzore.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar, spektrit të gjerë politik dhe qytetarëve që, siç thuhet në reagimin e tij, në këto momente jashtëzakonisht të rëndësishme për ardhmërinë integruese dhe zhvillimore të Republikës së Shqipërisë të ruajnë stabilitetin e vendit, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe dialogut mes forcave politike, që është në interes të të gjithë shqiptarëve. Ai nënvizon se të gjitha forcat politike duhet të ruajnë frymën e solidaritetit dhe të bashkimit politik dhe qytetar, që është vlerë kulmore e shqiptarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar veprimet e dhunshme, duke besuar thellë se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut politik. Në reagimin e kësaj partie thuhet se ngjarja në Tiranë dëmton rëndë demokracinë në Shqipëri, imazhin e saj dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kjo parti bën thirrje që palët të zgjidhin çështjet me anë të dialogut politik dhe të distancohen nga veprimet e dhunshme.

Lëvizja Vetëvendosje nënvizon se, në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht shihen partitë pa popull, kurse dje u pa populli pa parti, u panë qytetarët e zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Kjo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në reagimin e saj bën thirrje për qetësi dhe maturi. Udhëheqësit shqiptar do të gjejnë rrugën më të mirë të mundshme që ta tejkalojë këtë sfidë në interes të Kombit dhe Shtetit Shqiptar, thuhet në reagimin e kësaj partie në të cilin nënvizohet se derisa protesta paqësore është shprehje e ligjshme e pakënaqësisë, asgjë nuk mund të arsyetojë humbjen e jetëve të njerëzve.

Ndërsa Aleanca Kosova e Re thekson se dhuna, asnjëherë nuk ka qenë mjet i zgjidhjes së problemit dhe në këtë fazë të zhvillimit të Shqipërisë dhe rajonit, më së paku i duhet dhuna dhe vrasjet. Duke u bërë thirrje udhëheqësve politik të

Shqipërisë të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe gjuhës e cila mund të nxisë akte të dhunës, kjo parti nënvizon se vetëm një Shqipëri e qëndrueshme, demokratike dhe e lirë do ti kontribuojë paqes, stabilitetit dhe anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG