Lidhje

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë


Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë
Gjendja e të drejtave të njeriut në Kosovë

Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi thotë se gjendja e të drejtave të njeriut dhe trajtimi i tyre nga institucionet ka shënuar përparim, por ai mbetet ende i kufizuar. Në një bisedë më Zërin e Amerikës, zoti Kurteshi, thotë se institucioni i drejtuar prej tij, nuk është i kënaqur me shkallën e respektimit të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve.

“Për ne si institucion edhe si mandat e kemi një pikë dhe pika është a është ligji mbi të gjithë? Nëse vetëm një rast të vetëm e kemi që dikush është mbi ligjin, do të thotë ka mundësi këtë vend që ne e quajmë Republika e Kosovës mos me e respektuar ligjin, është autoritet publik edhe ende për të vazhduar me vepru për neve, ajo është pika kulmore dhe ne konstatojmë se ende ka njerëz që janë mbi ligjin. Derisa konstatojmë kështu për neve gjendja e të drejtave të njeriut nuk është e mirë”, thotë zoti Kurteshi.

Problemet shtrihen në të gjitha strukturat e pushtetit dhe jo rrallë thotë ai, ndodhë që administratorë të ndryshëm nuk e përfillin fare institucionin e Avokatit të Popullit. Ai thotë se problemet janë shumë më të mëdha sesa numri i ankesave që i drejtohen këtij institucion

“Problemet më të mëdha qytetarët i kanë me gjykatat. Janë rreth 40 për qind të ankesave, pastaj vijnë niveli qeveritarë, komunal, por ka edhe probleme tjera të natyrave të ndryshme”, tha zoti Kurteshi.

­Ai thotë se gjyqësia është një problem i njohur tashmë për të gjithë por e vlerëson shqetësues faktin se siç shprehet nuk shihet ndonjë dritë në fund të tunelit për ndryshimin e kësaj gjendjeje. Ai thotë se problemet janë të natyrës politik.

“Derisa nuk ka një pushtet të ndarë të gjyqësorit, i ke këto probleme. Derisa në Republikën e Kosovës ende një pushtet vendos për statusin dhe gjendjen e pushtetit tjetër do të thotë që nuk janë të barabartë. Në atë moment ai që vendos për dikë domethënë ai është i forti e ai i dobëti. Ne kemi këtë gjendje”, thotë zoti Kurteshi.

Por ai tërheq vërejtjen se problemi kryesor është tek humbja e besimit në gjyqësinë e Kosovës po nxitë edhe humbjen e besimit në drejtësinë shoqëror.

“Edhe humbja në drejtësinë shoqërore pastaj përcillet me konfliktet shoqërore, ky është problemi kryesor. Mirëpo, humbja e besimit të shoqërisë në drejtësinë e vet domethënë është humbja e besimit në vetveten, ky është problemi që unë i frikësohem më së shumti”, tha ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit është përvojë e re në Kosovë. Vendosja e tij ishte pjesë e debateve në konferencën e Rambujesë në vitin 1999. Pas përfundimit të luftës për disa vjet me radhë ky institucion është udhëhequr nga Marek Antoni Novicki nga Polonia, ndërsa pas largimit të tij, Avokati i Popullit mbeti për tri vjet me radhë me ushtrues detyre, deri në qershorin e vitit të kaluar. Zoti Kurteshi thotë se ky institucion ende nuk është sa duhet i njohur dhe as i vlerësuar.

XS
SM
MD
LG