Lidhje

Kirgistani bën pak përparim në hetimin e përleshjeve etnike


Afro një muaj pas përplasjeve etnike në Kirgistanin jugor, autoritetet kanë bërë pak përparim drejt një hetimi zyrtar për dhunën. Mosbesimi është ende i lartë mes komuniteteve etnike të rajonit. Vëzhguesit thonë se kjo po minon autoritetin e qeverisë dhe po rrit domosdoshmërinë e një komisioni të jashtëm hetimor.

Shefi i Sigurisë Kombëtare i Kirgistanit u angazhua për të paralajmëruar një valë të re trazirash në Kirgistanin e jugut. Por vëzhguesit thonë se do të jetë e vështirë për forcat e sigurisë të vendit që të vendosin stabilitetin ndërkohë që besueshmëria e tyre është vënë në dyshim. Paul Quinn-Judge, analist pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave në qytetin Osh të Kirgistanit thotë se duket që policia po e përdor paqëndrueshmërinë për përfitime personale dhe politike.

“Tensioni është i skajshëm veçanërisht në qarqet uzbeke të qytetit shkaktuar pjesërisht nga njoftimet e përhapura, shumë prej tyre shumë të sakta, sipas së cilave policia po bastis shtëpi uzbeke, po arreston njerëz, apo kap njerëz dhe u kërkon familjeve dëmshpërblime për t’i liruar ata”.

Quinn-Judge tha se edhe komuniteti kirgiz është shumë i nervozuar dhe ekziston frika e shpërthimit të një dhune të re. Qeveria kirgize thotë se afro 300 persona humbën jetën në përleshjet e muajit të kaluar mes banorëve kirgizë dhe uzbekë në jugun e vendit. Por vëzhguesit thonë se numri i të vdekurve mund të arrijë deri në 2 mijë. Për shkak të luftimeve afro 400 mijë refugjatë, kryesisht uzbekë, u detyruan të largohen nga Oshi dhe Xhalalabadi. Shumica janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Shtetet e Bashkuara dhe Parlamenti evropian po bëjnë thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar për dhunën. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Robert Blake tha këtë javë se një ekip ndërkombëtar mund të ketë më shumë ekpertizë dhe autoritet sesa hetuesit kirgizë.

“Kjo do t’i japë një farë lehtësimi komunitetit uzbek që siç e dini po ndjehet shumë i shqetësuar tani dhe ka qenë objekti i shumë prej arrestimeve, që po ngrenë pikëpyetje se sa reale janë përpjekjet për pajtimin”.

Pavarësisht nga këto shqetësime, Blake thotë se vazhdon të ketë besim se Presidentja e përkohëshme Roza Otunbayeva po punon drejt pajtimit dhe kthimit të vendit në demokraci. Human Rights Watch thotë se qeveria kalimtare kirgize i ka kërkuar organizmit më të lartë të sigurisë në Evropë këtë javë që të ndihmojë për përgatitjen e një komisioni ndërkombëtar. Quinn-Judge i Grupit të Krizave thotë se një hetim duhet të fillojë me shpejtësi për të mbledhur prova të besueshme.

“Dritarja e mundësisë po mbyllet shpejt. Njerëzit frikësohen, janë të traumatizuar. Kujtimet do fillojnë të bëhen të paqarta dhe kjo është vetëm një çështje teknike. Është shumë e rëndësishme që me këtë çështje të jenë të angazhuar njerëz serioze dhe sa më shpejt”.

Por ai tha se edhe nëse bëhet një hetim, do të jetë e vështirë të vendoset një paqe afatgjatë në Kirgiztanin jugor përsa kohë që agjencitë e rendit janë të implikuara në trazirat.

XS
SM
MD
LG