Lidhje

BE hap një zyrë diplomatike në Bengazi të Libisë


BE hap një zyrë diplomatike në Bengazi të Libisë
BE hap një zyrë diplomatike në Bengazi të Libisë

Bashkimi Evropian ka hapur një zyrë diplomatike në qytetin Bengazi në pjesën lindore të Libisë, që është aktualisht nën kontrollin e kryengritësve. Ky vendim merret ndërkohë që NATO ka shkallëzuar fushatën kundër regjimit të Gadafit:

Shefja e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashme Kathrin Ashton u rrethua nga një grup zyrtarësh të kryengritësve dhe gazetarë kur arriti në Bengazi për të inauguruar zyrën e re të Bashkimit Evropian. Ajo pranoi një buqetë nga një vajzë e vogël me veshje tradicionale dhe zhvilloi bisedime me kreun e Këshillit Kombëtar Kalimtar të kryengritësve libianë, Mustafa Abdul Xhalil.

Zonja Ashton bëri shkurtimisht komente publike:

"Ndodhem këtu për të shpjeguar dhe për të qartësuar jo vetëm mbështetjen afat-shkurtër të BE, por edhe përmasat e kësaj mbështetjeje”.

Zonja Ashton tha se mbështetja përfshin ndihmë në kontrollin e kufijve dhe reformat e sigurisë, ekonominë, shëndetin, arsimin dhe shoqërinë civile.

"Kemi për synim të japim mbështetje jo vetëm tani, por për sa kohë që populli i këtij vendi na dëshiron të jemi këtu”.

Franca ishte vendi i parë që njohu kryengritësit libianë. Italia, Katari dhe Gambia ndoqën shembullin e saj. Disa vende, si Shtetet e Bashkuara kanë hapur bisedime me kryengritësit, por nuk kanë deklaruar një njohje të plotë diplomatike.

Vizita e zonjës Ashton në Libinë lindore zhvillohet ndërkohë që NATO shkallëzon fushatën kundër udhëheqësit libian Gadafi dhe përkrahësve të tij. Njoftimet bëjnë të ditur se avionët e NATO-s bombarduan portin e Tripolit dhe kompleksin e Gadafit pranë kryeqytetit pak para mbërritjes së zonjës Ashton.

Ajo është zyrtarja më e lartë e huaj që viziton rajonin e kontrolluar nga kryengritësit libianë. Një numër vendesh evropiane kanë ngrirë marrëdhëniet diplomatike me qeverinë e Gadafit, si dhe llogaritë bankare dhe investimet e tij jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG