Lidhje

Kosovë: Debate rreth gjendjes së krijuar pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu


Kosovë: Debate rreth gjendjes së krijuar pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu
Kosovë: Debate rreth gjendjes së krijuar pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u angazhua sot për, siç tha ai, vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e parë të qeverisë së koalicionit pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu dy ditë më parë. Kryeministri Thaçi e falënderoi ish presidentin Fatmir Sejdiu për bashkëpunimin gjatë kohës sa ishte në krye të shtetit, duke vlerësuar se Sejdiu i ka meritat e veta për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ai tha se po zhvillohen këshillime për të gjetur një zgjidhje për gjendjen e krijuar në vend.

Do të vazhdojmë të punojmë si partnerë në konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë në procesin e integrues dhe vendimmarrës për proceset e ardhshme, të cilat janë jetike për konsolidimin e rendit demokratik, të parimeve demokratike”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërkaq zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë se gjendja është mjaft e ndërlikuar dhe ajo po shqyrtohet me kujdes. Nënkryetari i kësaj partie, Eqrem Kryeziu, tha se pavarësisht që Lidhja Demokratike është në procesin e zgjedhjeve të brendshme. duhet të gjejë edhe një zgjidhje që të mos lejohet boshllëku institucional.

Tash si do të shkojnë punët duhet një konsultim i gjerë dhe një analizë goxha e thukët. Procedurat partiake nuk janë më të rëndësishme se haku i vendit. Ka raste kur duhet margjinalizuar procedurat e brendshme partiake sepse çdo parti është këtu për t’i shërbyer vendit”, tha zoti Kryeziu.

Por ai nënvizoi se që mungesa e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive të koalicionit mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Institucionet dhe partitë politike kanë filluar debatet rreth zgjedhjes së presidentit të ri që varet nga partnerët e koalicionit qeverisës, nëse ata vendosin të ruajnë formën aktuale të qeverisjes në vend.

Sipas marrëveshjes së janarit të vitit 2008 ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Fatmir Sejdiu, posti i presidentit i takon Lidhjes Demokratike. Nëse zgjidhet, presidenti i ri do të ketë mandat pesë vjeçar. Kjo mund të nxisë pakënaqësi në radhët e Partisë Demokratike për shkak se zgjedhjet e rregullta pritet të mbahen vitin që vjen.

Një pjesë e opozitës ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, ndërsa partia më e zëshme opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se nuk ka mundësi për një gjë të tillë.

Këshillimet po vazhdojnë dhe në to janë përfshirë edhe autoritetet ndërkombëtare. Fjala më e shpeshtë në të gjitha debatet rreth tejkalimit të situatës së krijuar është ajo e zgjedhjeve të parakohshme.

XS
SM
MD
LG