Lidhje

Senati amerikan konfirmon Elena Keganin si anëtare të Gjykatës së Lartë


Senati i Shteteve të Bashkuara votoi dje për të konfirmuar Elena Keganin si anëtare të Gjykatës së Lartë me 63 vota pro dhe 37 kundër. Siç pritej votime për kandidaten e Presidentit Barak Obama u bë në linja partiake. 5 republikanë votuan pro kandidaturës dhe një demokrat kundër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sindi Shein na informon nga Kongresi.

Rezultati i votimeve nuk u vu asnjëherë në dyshim, thonë analistët, sepse demokratët mbajnë shumicën në Senat dhe u duheshin vetëm 50 vota për të konfirmuar Elena Keganin. Megjithatë, gjatë kësaj jave pati debate në Senat, ku demokratët dhe republikanët e portretizuan në forma tejet të ndryshme kandidaten. Demokratët vlerësuan zonjën Kegan si një juriste tepër të kualifikuar, inteligjente dhe të apasionuar për ligjin. Senatori demokrat, Ben Kardin nga Merilandi tha:

"Dhe kur Elena
Kegani të jetë konfirmuar, ajo do të jetë për herë të parë në historinë amerikane, e treta grua mes nëntë anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara. Mendoj se kjo do të na japë një sens më të përgjithshëm të drejtësisë në vendin tonë dhe sigurisht atë që pasqyron diversitetin e vendit tonë”.

Por shumica e senatorëve republikanë shprehën shqetësimin se Kegan do të jetë e nën influencën e pikëpamjeve të saj politike liberale, nëqoftëse do të vinte rasti për të vendosur për çështje të tilla kundërthënëse si të drejtat e homoseksualëve, ligjet për zotërim armësh dhe aborti.

Republikani Xhef Seshën nga Alabama ka qënë një nga kritikët kryesorë të zonjës Kegan në Senat. Ai shprehu shqetësimin se Kegan do ta përdorë pozitën për të avancuar axhendën e saj politike.

"Jam i mendimit se e kaluara e kandidates tregon se ajo nuk e respekton plotësisht gjuhën e pastër të Kushtetutës. Ajo do të jetë një gjykatëse aktiviste që synon të përforcojë vizionin se si duhet të jetë Amerika. Kjo nuk është një tendencë e përshtatshme për një anëtare të Gjykatës së Lartë”.


Gjatë seancave të debateve, Kegan premtoi se do t’i lërë mënjanë pikpamjet e saj politike në gjykimin e çështjeve që do t’i paraqiten Gjykatës së Lartë. Ajo u kritikua ashpër për vendim që kishte marrë si Dekane e Fakultetit Juridik të Universitetit Harvard për të penguar fushatat e rekrutimit të ushtrisë në rrethet e studentëve në kompleksin universitar. Kegan tha se vendimi i saj ishte i justifikuar në bazë të politikës anti-diskriminuese të shkollës, pasi ushtria ndalon shërbimin ushtarak për ata që janë haptas homoseksualë.

Disa senatorë demokratë iu kundërvunë kritikave, duke thënë se Gjykata e Lartë, e udhëhequr nga Xhon Roberts është tepër konservatore dhe akuzuan shumicën konservatore për marrjen e vendimeve të motivuara politikisht në mbështetje të interesave të posaçme dhe të korporatave të mëdha. Senatori demokrat Çarls Shumer nga Nju Jorku u shpreh:

"Shumica konservatore ka qënë aktiviste politike për disa dekada. Vendimet e tyre kanë treguar se ata kanë patur shumë pak respekt për Kongresin, për Ekzekutivin dhe për mendimin popullit amerikan për demokracinë tonë. E megjithatë, ata e karakterizojnë Elena
Keganin si aktiviste, sepse ajo do të ndjekë shembullin e tyre. Kjo nuk është e drejtë dhe nuk është e vërtetë”.

Senatori republikan, Lindsi Graham i Karolinës së Jugut ishte një nga pak senatorët që braktisi linjën partiake për të votuar në favor të zonjës Kegan. Në një takim të Komisionit Juridik të Senatit, Senatori Graham tha se votuesit e zgjodhën Barak Obamën të jetë president dhe ai ka kompetencën të emërojë kandidatët që preferon për në Gjykatën e Lartë.

"Unë do të votoj për të sepse besoj se zgjedhjet e fundit patën pasoja. Ky president zgjodhi një individ të kualifikuar që ka përvojën dhe njohuritë për të shërbyer në gjykatë, një individ me pikpamje filozofike liberale të qendrës dhe është një gjendje të kuptojë ndryshimin mes të qënit gjykatës liberal dhe politikan”.


Presidenti Obama e mëroi Elena Keganin për vendin e hapur nga gjykatës Xhon Pol Stivens që doli në pension dhe që kishte qënë zëri udhëheqës liberal në Gjykatën e Lartë për më shumë se tri dekada. Ekspertët ligjorë thonës e konfirmimi i zonjë Kegan nuk ka të ngjarë të ndryshojë balancën ideologjike të gjykatës prej nëntë anëtarësh, ku konservatorët mbajnë shumicën ndaj liberalëve në raport pesë me katër.

XS
SM
MD
LG