Një nga ekspertët më provokativë për çështjet strategjike në Shtetet e Bashkuara sot është Xhorxh Fridman, themelues dhe drejtues ekzekutiv i grupit të parashikimeve me bazë në Teksas të quajtur Stratfor. Në një libër të ri, Friedman i hedh një vështrim dekadës së ardhshme. Zoti Fridman beson se presidenca amerikane do të jetë kyçi që do të vendosë rezultatin e ngjarjeve.
Në librin e tij të fundit të publikuar para dy vitesh, Xhorxh Fridman analizoi 100 vitet e ardhshme duke ofruar skema të gjera se si mund të ndryshojë fati i vendeve të ndryshme. Në studimin e tij të fundit, të titulluar “Dekada e Ardhshme” ai përqendrohet tek shqetësimet më të pranishme dhe thotë se kursi i ngjarjeve ka të ngjarë të varet nga udhëheqësia e atij që do të mbajë postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Zoti Fridman thotë se ajo çka nevojitet tani është një udhëheqje që bazohet tek idealizmi si dhe në kuptimin e duhur të rolit të Shteteve të Bashkuara në botë si një superfuqi e vetme. Ai i krahason Shtetet e Bashkuara me Romën e vjetër, ku republika humbi ndërkohë që perandoria zgjerohej. Zoti Fridman thotë se shumica e amerikanëve do të preferonin të përqendroheshin tek problemet e brendshme dhe të mos merreshin me botën, por ai thotë se është shumë vonë për ta bëtë këtë.
"Bota duket se është bërë barrë, dhe është mosmirënjohëse. Ekziston ndjenja se ne mund të mbajmë gjithçka që kemi tani dhe të mos ndërhyjmë tek të tjerët, por problemi qëndron tek pamundësia për t’u tërhequr.”
Ka shumë diskutime rreth zhvillimit të Kinës, një vend që ka pjesën më të madhe të borxhit amerikan. Por zoti Fridman e hedh poshtë idenë se Kina do t’i zërë vendin Shteteve të Bashkuara si vendi me rol udhëheqës në botë.
"Duhet të kemi parasysh se kinezët janë të kënaqur që na kanë dhënë para hua, ose, për të qenë më i saktë, ata do të ishin më të kënaqur t’i investonin paratë e tyrë në bonot e thesarit amerikan pa normë interesi se sa në Kinë. Kina është një vend me probleme të mëdha."
Xhorxh Fridman thotë se një përqindje e madhe e popullsisë kineze jeton në varfëri dhe thotë se ky vend aziatik do të përfshihet në krizë të brendshme në vitet e ardhshme. Shumë historianë mund të mos jenë dakort me pikëpamjet e zotit Friedman mbi historinë amerikane. Në librin “Dekada e Ardhshme” ai thotë se udhëheqja më e mirë është treguar nganjëherë nga presidentë që e kanë shkelur kushtetutën për të cilën ishin betuar se do ta mbronin dhe ndershmëria nuk ka qenë gjithmonë politika më e mirë.
Sipas tij presidentët Abraham Linkoln, Franklin Ruzvelt dhe Ronald Regan patën sukses sepse përdorën teknika pragmatiste, dhe shpesh të ashpra të iduara nga autori i italian i rilindjes Nikolo Makiaveli.
"Një president makiavelian është një njeri që ka qëllime të mira dhe që e kupton plotësisht se është më e lehtë të flasësh për moral se sa të përdorësh pushtetin për të arritur moralin. Secili prej tyre arriti, si të thuash, të përkëdhelë tigrin dhe të mos kafshohet. Ata ishin presidentë të shkëlqyer, megjithëse asnjëri prej tyre nuk mund të quhet i ndershëm, i drejtpërdrejtë apo qoftë edhe i ligjshëm."
Megjithëse disa kritikë e vënë në pyetje analizën e zotit Fridman, libri i tij ka të ngjarë të lexohet shumë nga ekspertët e politikës së jashtme dhe të tjerë të cilët mbështeten tek zoti Fridman dhe ekipi i tij në Stratfor për udhëzime në një botë të rrezikshme.