Lidhje

Dell: Korrupsioni – një nga kërcënimet kryesore për Kosovën


Ambasadori amerikan, Christopher Dell tha se korrupsioni, në të gjitha format e tij, është bërë njëri prej kërcënimeve kryesore me të cilat përballet shoqëria e Kosovës. Ai i bëri këto komente në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Institutit Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë. Në fjalimin e tij 20 minutash, ai tha se problemi më i madh qëndron tek fakti se zyrtarët e korruptuar nuk duan që të gjenden faktet. Ata disponojnë një numër të madh të mjeteve për të fshehur të vërtetën: paratë, përkrahësit, gatishmërinë për të kërcënuar dhe detyruar më të dobëtit. Ai tha se udhëheqësit e partive politike duhet të jenë në ballë të përpjekjeve për ndryshimin e situatës dhe duhet t’i japin fund botëkuptimit se korrupsion është vetëm kur e bën dikush tjetër.

Të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri-tjetri duke thënë se ata janë të korruptuarit. Por, disa prej atyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t’ua gjejnë anëtarëve të familjeve së tyre ndonjë vend të mirë pune në qeveri dhe t’ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të leverdishme afariste kur kjo gjë është në interesin e tyre. Më lejoni të jem i qartë: nuk po përjashtoj asnjë parti nga ky pohim”, tha ambasadori Dell.

Ai tha se nganjëherë njohuria për veprimtaritë korruptive mbahet më qëllim e fshehtë në mënyrë që kushdo që ka këtë informatë, mund ta përdorë si "policë sigurimi", një praktikë që ai e cilësoi të neveritshme. Këto vepra kryhen pa asnjë ndëshkim dhe kjo me të vërtetë e bën të qartë se sa keq është gjendja.

“Në veçanti po mendoj për zgjedhjet e vitit 2010 kur edhe të vdekurit ushtruan të drejtën për të votuar! Po ashtu duket se këtu mbizotëron ideja se partitë e ndryshme kanë të "drejtën" për të kontrolluar pasuritë e ndryshme publike. Kam dëgjuar aq shpesh ish-zyrtarët e lartë publikë duke e thënë këtë gjë të pavetëdijshëm, ose ndoshta pa u brengosur se kjo përbën shkelje të standardeve etike në shumicën e shoqërive moderne. Në të vërtetë, kjo duket si mbetje nga e kaluara socialiste e Kosovës, diçka që pasqyron praktikat më të këqija të sistemit politik të Serbisë”, theksoi ambasadori Dell.

Duke kritikuar ashpër edhe dukurinë e familjarizimit, ai kërkoi angazhim edhe nga vetë qytetarët e Kosovës, ndërsa një vëmendje të posaçme u kushtoi edhe mjeteve të informimit, të cilat sipas tij shpesh nguten për të akuzuar të tjerët për korrupsion dhe gjëra të tjera, pa një analizë që do të mundësonte punën e tyre të ligjshme në mënyrë më të përgjegjshme dhe më efektive.

Ç'është edhe më keq, ne të gjithë kemi dëgjuar për rastet kur gazetarët janë paguar për të botuar artikuj që promovojnë ose sulmojnë individë apo institucione në funksion të agjendave të tyre private. Për më tepër, gazetat dhe mediet e tjera shpesh janë pronë e individëve që kanë interesa të fuqishme politike personale dhe përdorin mjetet e tyre të shtypit për të shpërndarë çfarëdo ngjarje sensacionale që do të çojë përpara kauzën e tyre e jo të vërtetën. Është e diskutueshme se a i plotëson standardet moderne të gazetarisë së paanshme dhe etike kur dikush shfrytëzon mjetet e veta mediatike për të shtyrë përpara agjendën e vet politike. Kjo përkeqësohet kur redaktorët falin përdorimin e faqeve të supozuara të lajmeve për të botuar editoriale të maskuara tinëz që promovojnë agjendat partiake”, theksoi ai

Ambasadori Dell tha se Kosova nuk e ka mbështetur sa duhet Agjencinë e saj kundër korrupsionit, ndërsa kritikoi ashpër të gjithë ata që sipas tij, krijuan pothuajse një terren luftarak kur Presidentja Atifete Jahjaga shpalosi qëllimin e saj për të krijuar një këshill kombëtar për luftën kundër korrupsionit.

Duke numëruar dëmet që korrupsioni shkakton Kosovës në pengimin e rimëkëmbjes së saj ekonomike, ai nënvizoi se kjo dukuri dëmton marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke i bërë përkrahësit e Kosovës që të orientojnë investimet e tyre diku tjetër.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha ndërkaq se e ardhmja e Kosovës varet nga serioziteti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo është edhe esenca e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit që unë e kam themeluar muajin e kaluar, ku u shpreh uniteti dhe përkushtimi institucional për ta bërë luftën kundër korrupsionit prioritet. Si angazhim gjithëpërfshirës për të siguruar të gjitha kushtet e nevojshme që gjyqtarët tanë të mos pengohen në vënien e drejtësisë”, tha presidentja Jahjaga.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prej kritereve themelore për përmbushjen e aspiratave të Kosovës për afrim me strukturat euroatlantike.

XS
SM
MD
LG