Lidhje

SHBA: Ligjvënës në shtetet amerikane përpiqen të ndalojnë Sheriatin


SHBA: Ligjvënës në shtetet amerikane përpiqen të ndalojnë Sheriatin
SHBA: Ligjvënës në shtetet amerikane përpiqen të ndalojnë Sheriatin

Ligjvënësit në mbi 10 shtete amerikane po përpiqen të ndalojnë kodin fetar dhe civil islam, të njohur si sheriati, duke argumentuar se ai frymëzon terrorizmin. Analistët thonë se këto përpjekje të vazhdueshme pasqyrojnë ankthin dhe keqkuptimin në lidhje me myslimanët në Amerikë.

Vitin e kaluar, 70 për qind e votuesve në shtetin e Oklahomës miratuan përmes referendumit ndalimin e përdorimit të sheriatit në gjykatat shtetërore.

Një gjyqtar nuk lejoi që rezultati i referendumit të certifikohej. Sipas ligjvënëses së shtetit të Oklahomës, Selli Kërn, kjo i zemëroi shumë njerëz.

“Jo vetëm unë, por shumica e banorëve të Oklahomës; pati një kundërshtim të fortë.”

Me pezullimin e referendumit, zonja Kërn paraqiti një projektligj në legjislaturën e shtetit të saj që do të ndalonte “çdo ligj, rregull, kod juridik apo sistem” që nuk ofron të njëjtat mbrojtje me kushtetutën amerikane. Ajo thotë se po përpiqet të ndalojë sheriatin, bazuar në rezultatet e referendumit.

Sheriati rregullon çdo aspekt të jetës së një myslimani të devotshëm. Disa gjykata amerikane u kanë lejuar myslimanëve t’i zgjidhin çështjet e shkurorëzimit në gjykata të sheriatit të ngritura pranë xhamive të tyre. Kjo është bërë edhe për besimet e tjera dhe ekspertët ligjorë thonë se puna e gjykatës laike është të sigurojë zbatimin e të gjitha ligjeve të shtetit.

Megjithatë, përkrahësit e projektligjeve kundër sheriatit këmbëngulin se po kërcënohen ligjet amerikane. Shumë nga ata përmendin një rast të kohëve të fundit në Nju Xhersi. Një gjyqtar i atjeshëm vendosi se një mysliman i cili detyron gruan e tij që të ketë marrëdhënie seksuale me të nuk mund të akuzohet për përdhunim, pasi ai beson se kjo lejohet në bazë të islamit. Një gjykatë e apelit e shfuqizoi vendimin.

David Jerushalmi, avokat në Uashington i cili ndihmoi në hartimin e projektligjeve kundër sheriatit, thotë se kodi islam është kërcënim për Amerikën, sepse përfshin idenë e xhihadit si luftë të shenjtë në emër të islamit.

“Ne e dimë se të gjithë xhihadistët, çdo njëri prej tyre, e mbështet doktrinën e xhihadit në të drejtën e sheriatit.”

Zoti Jerushalmi thotë se ai thjesht dëshiron të ndihmojë autoritetet të luftojnë terrorizmin e jo të ndalojë ushtrimin paqësor të fesë islame.

Por Ibrahim Hupër i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame, (CAIR), thotë se qëllimi i vërtetë i atyre që përgatisin projektligje është të fitojnë vota në zgjedhjet e 2012 duke përdhosur islamin.

“Përkrahësit e këtyre projektligjeve përpiqen të ngjallin frikë për të grumbulluar disa pikë të pavlera politike dhe për të sulmuar një pakicë fetare që tashmë është vënë në shënjestër të disa kritikëve të padrejtë të myslimanëve.”

Sipas kësaj organizate, një seancë e Kongresit amerikan në muajin mars, mbi “Radikalizimin e komunitetit myslimano-amerikan”, ishte gjithashtu pjesë e kësaj përpjekjeje.

Zoti Hupër thotë se myslimanët në Amerikë duan thjesht të jetojnë në paqe.

Pitër Skeri, profesor i shkencave politike në Boston College, thotë se rreth myslimanëve në Amerikë ka shumë keqkuptime.

“Unë mendoj se është ngjallur shumë ankth, sepse ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me myslimanët, veçanërisht me udhëheqjen e tyre në organizatat kryesore.”

Prof. Skeri, i cili merret me kërkime rreth integrimit të myslimanëve dhe arabëve në Shtetet e Bashkuara, thotë se organizatat e mëdha të myslimanëve në Amerikë nuk kanë bërë sa duhet që të mohojnë lidhjet e dyshuara me grupet radikale jashtë vendit.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame thotë se akuza të tilla janë pjesë e një fushate diskreditimi.

Prof. Skeri sqaron se ai nuk mendon se krerët e këtyre grupeve janë ekstremistë, por se ekzistojnë paqartësi, prandaj do të ketë përpjekje të tilla si projektligjet kundër sheriatit. Ai thotë se ata që besojnë se sheriati mund të vendoset në Amerikë nënvlerësojnë fuqinë e demokracisë në këtë vend.

XS
SM
MD
LG