Lidhje

Uashington: Një grup grash nga Kosova njihen me përvojën amerikane


12 gra nga Kosova ndodhen në Uashington për të marrë pjesë në një seri takimesh dhe vizitash për çështje të ekonomisë dhe të energjisë. Ato vijnë nga institucione shtetërore, nga biznese dhe nga organizata jo-qeveritare. Dje, gratë nga Kosova kaluan një ditë në Kongresin amerikan për të parë nga afër se si punojnë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gratë nga Kosova patën mbrëmë një pritje në selinë e Kongresit. Kishin ardhur disa prej anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve me të cilët ato janë njohur gjatë një dite qëndrimi në Kongres.

Dhurata Prokshi, kryeson zyrën e organizatës Caritas për Kosovën. Ajo pati rast të shoqërojë anëtaren e Kongresit, Jan Schakowsky.

"Ajo ishte mjaft e informuar për gjendjen e shqiptarëve dhe për rrjedhat historike nëpër të cilat kemi kaluar ne si popull. I pëlqeu edhe t’i bëja disa vëzhgime nga këndi im personal. Me këtë rast pata mundësi të marr informacione rreth ngritjes së aftësive të gruas".

“Nëqoftëse do të jetonim në një botë ku gratë do të ishin në udhëheqje, bota do të ishte më paqësore,” shprehet Jan Schakowsky, anëtare e Kongresit nga shteti Ilinoi

Jeane Schmit, është anëtare e Kongresit, e cila këtë vit pati rastin të vizitojë Kosovën.

“Ju dëshironi po ato gjëra që ne gëzojmë që prej 200 vjetësh në këtë vend. Ju doni liri, pavarësi dhe mundësinë për ta bërë vetë fatin tuaj.”

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, gratë nga Kosova kanë patur takime dhe biseda për çështje të ekonomisë dhe të energjisë. Kanë vizituar Bankën Botërore dhe departamente të ndryshme të qeverisë amerikane.

Gratë i përshëndeti edhe ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, i cili po largohet nga ky post.

“Jam shumë krenar që isha pjesë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe të forcimit të aleancës dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.”

Në një mënyrë ose në një tjetër, këto vizita i ndihmojnë gratë të kuptojnë se çfarë përpjekje bëhen në Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur çështje konkrete.

Ilire Rizvanolli është pronare e një restoranti në Prishtinë.

“Si pronarë restoranti ne kemi vështirësi të gjejmë punëtorë të kualifikuar për t’i angazhuar në kuzhinë. Në Kosovë ka shumë pak vende ku ato mund të trajnohen dhe kjo ishte ideja.”

“Një grua e thjeshtë në Kosovë ballafaqohet me mjaft sfida, ndër më kryesoret është papunësia e madhe,” shprehet zonja Dhurata Prokshi.

Prandaj qëllimi i disa prej planeve me të cilat këto gra do të kthehen në Kosovë është se si të zbuten probleme të tilla.

XS
SM
MD
LG