Lidhje

Parlamenti miraton buxhetin, pa shqyrtuar propozimet e opozitës


Parlamenti miraton buxhetin, pa shqyrtuar propozimet e opozitës
Parlamenti miraton buxhetin, pa shqyrtuar propozimet e opozitës

Parlamenti shqiptar e miratoi sot buxhetin e shtetit për vitin tjetër, megjithë kundërshtimet e opozitës dhe propozimet e saj për uljen e taksave në një seri produktesh ushqimore.

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se kriza ekonomike europiane po përfshin edhe Shqipërinë dhe qytetarët po përballen me një barrë të pazakontë taksash dhe çmimesh në rritje.

“Çmimet janë gjithnjë në rritje, fuqia blerëse në rënie të lirë, monopolet vazhdojnë të veprojnë në treg, situata është gjithmonë e më e rënduar në zonat rurale. Këto e shumë të tjera si këto, sjellin si të domosdoshëm, çlirimin e mijëra familjeve që jetojnë nën minimumin jetik, por edhe të atyre me të ardhura të mesme, nga një nivel i lartë taksimi” - tha ajo.

Zonja Kodheli tha se opozita ka propozuar një seri uljesh apo heqje taksash, që qeveria nuk i mori në konsideratë.

“Çmimet ndërkombëtare, sidomos të produkteve bazë gjatë këtyre pesë viteve të fundit, janë dy ose trefishuar. Ndërkohë, qeveria nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se ka vazhduar të tatojë konsumatorin shqiptar, në të njëjtën mënyrë” - tha ajo.

Por ministri i financave, Ridvan Bode tha se “asnjë vend në botë nuk ka ulur taksat, madje i kanë rritur ato për shkak të krizës. Tatimi i vlerës së shtuar (tvsh) është rritur në Kroaci, Maqedoni e Bullgari si dhe në të gjitha vendet e BE. Por opozita shqiptare kërkon uljen e tvsh vetëm për propagandë, ndonëse e di se është e pamundur”.

Zoti Bode tha se “propozimet e deputetëve të opozitës nuk përputhen me rekomandimet e Bashkimit Europian për tregjet e rregulluara, duke marrë si shembull çështjen e energjisë elektrike, për të cilën qeveria subvencionon 30 për qind të çmimit”.

Parlamenti e miratoi buxhetin e ri në mes të kritikave të specialistëve se ai nuk merr në konsideratë uljen e borxhit publik. Analistë të jetës ekonomike në vend pohojnë se rritja ekonomike nuk është e mjaftueshme për të përballuar atë nivel borxhesh që aktualisht është ngjitur në kufijtë e afro 60 për qindshit.

XS
SM
MD
LG