Lidhje

Qeveria fton opozitën për bashkëpunim “në komision apo në tryezë partiake”


Qeveria fton opozitën për bashkëpunim “në komision apo në tryezë partiake”
Qeveria fton opozitën për bashkëpunim “në komision apo në tryezë partiake”

Qeveria shqiptare ftoi përsëri sot opozitën socialiste për të nisur punën e përbashkët mbi reformën zgjedhore. Kryeministri Sali Berisha tha se qeveria është e gatshme të shohë përpara, të bashkëpunojë me konsensus të plotë, me të drejtë vetoje, dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse. Maxhoranca pret të ulet me opozitën për të trajtuar në mënyrën më serioze problemet e reformave dhe në radhë të ato të reformës zgjedhore.

“Në rast se PS kërkon ngritjen e një tryeze partiake, qeveria është e gatshme të marrë pjesë në këtë tryezë në prani të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it” – tha zoti Berisha. Ai tha se një tryezë e ngjashme me atë për reformën zgjedhore mund të ngrihet edhe për ndryshimin e rregullores së parlamentit, e cila të mbështetet në rregulloren e Parlamentit Europian.

Ndërsa grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një mbledhje ku vendosi të kërkojë krahas interpelancave të javës edhe një përjashtim të zotit Berisha nga seancat plenare, për fjalët fyese dhe shprehjet e papërshtatshme etike, sipas tyre, drejtuar deputetëve të opozitës. Në kërkesën e deputetëve të opozitës për byronë e Parlamentit thuhet se zoti Berisha duhet përjashtuar 15 ditë nga seancat, sipas nenit 65 të rregullores, për fyerje dhe kërcënime ndaj kolegëve deputetë. Kjo kërkesë u rrëzua në mbrëmje nga drejtuesit e parlamentit.

Sa u takuan bisedimeve për reformat, opozita ka publikuar një dokument me 10 kërkesa, duke kushtëzuar cdo bashkëpunim të saj në parlament me plotësimin e tyre.

Partia Socialiste ka deklaruar se përgjegjësia për mospranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit në BE i takon qeverisë. Opozita ka deklaruar se ajo është e gatshme të bashkëpunojë për reforma themelore me garancinë e ndërkombëtarëve, dhe nuk do të marrë pjesë në arnime të pjesshme ligjesh.

Përveç shkëmbimit të ftesave publike dhe shprehjeve formale politike asnjë nga partitë nuk ka hedhur deri tani hapa konkretë për bashkëpunim.

XS
SM
MD
LG