Lidhje

BB: Ekonomia ballkanike varet nga zhvillimet në Eurozonë


BB: Ekonomia ballkanike varet nga zhvillimet në Eurozonë
BB: Ekonomia ballkanike varet nga zhvillimet në Eurozonë

Banka Botërore bëri të ditur se vendet Europës Juglindore pritet të kenë një rritje të ngadaltë ekonomike për këtë vit dhe 2012. Banka publikoi sot të parin raport 6-mujor për Eurpoën juglindore, ku theksoi se ky rajon ka nevojë për politika stabiliteti dhe rritje afatgjatë. Në zonën e Europës Juglindore Banka Botërore përfshin Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Raporti thotë se rritja e ekonomive të tyre rrezikohet nga një ngadalësim i mëtejshëm i ekonomisë globale. “Trazirat e eurozonës lëkundën edhe ekonomitë e këtyre 6 vendeve, dhe integrimi më i thellë i tyre në BE mbetet në një perspektivë afatgjatë” - thuhet në raport.

Përfaqësues të BB pohuan se rritja ekonomike e Shqipërisë për sivjet mund të jetë 3 për qind, ose më pak, ndërsa vitin tjetër parashikohet akoma më e ulët, rreth 2 për qind. I gjithë rajoni mund të ketë një rritje modeste 2-2,5 për qind, nëse kriza e eurozonës do të zgjidhet në mënyrë të rregullt, por nëse jo, atëherë do të jetë shumë më e ulët. Eksperti i Bankës Botërore në Tiranë, Erjon Luci, tha se në rajon dhe në Shqipëri, politikat fiskale kanë pak hapësirë që të nxitin ekonominë. Ai komentoi edhe rreth konstatimit se Shqipëria e ka borxhin e jashtëm shumë të vogël dhe borxhin e brendshëm publik shumë të madh.

“Borxhi i jashtëm i ulët është një gjë e mirë përballë rreziqeve aktuale. Ndikimi nga ndërprerja e financimeve të huaja nuk është aq negativ për Shqipërinë, siç do të ishte rasti i vendeve si Serbia dhe Kroacia, që kanë linja kredie të mëdha nga vende të tjera, në këtë çast si ky kur normat e interesit rriten dhe rrjedhja e kredisë zvogëlohet. Megjithatë, ajo çka provuar Europa është që borxhi privat me borxhin publik në përgjithësi mund të konvergohen shumë shpejt në një çast krize. Pra, borxhi i madh publik mund të mbetet përsëri potencialisht një pikë e dobët për t’u përmirësuar” - tha zoti Luci.

Banka Botërore rekomandoi uljen e shpenzimeve buxhetore dhe reforma të thella strukturore që rritin investimet dhe prodhimin. Raporti thotë se një pjesë e madhe e papunësisë në rajon është afatgjatë, dhe shumica e të papunëve janë gra dhe të rinj. Analisti ekonomik i gazetës “Shqip”, Gjergj Erebara, thotë se institucionet ndërkombëtare nuk japin më rekomandime të forta kategorike, si deri 4 vjet më parë; për zgjidhjen e krizave nuk po ndiqen parime të ftohta madhore, por po studiohet çdo detaj hap pas hapi, sipas situatës ekonomike. Sipas tij, problem kryesor mbetet ulja e borxhit.

“Shqetësimi i parë dhe i fundit për ekonominë shqiptare lidhet me nivelin e borxhit publik, i cili është aktualisht sa 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nuk do të ndodhë ndonjë katastrofë për shkak të nivelit të borxhit publik, por problemi është që interesat e këtij borxhi janë shumë të larta dhe bllokojnë zhvillimin ekonomik. Kur e gjithë vlera e shtuar e Shqipërisë gjatë një viti dhe ekonomia rritet me 2 për qind, ne harxhojmë 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për interesat e borxhit publik, do të thotë se kemi dalë me humbje 1 për qind të Prodhimit të Bredshëm Bruto. Problemi i parë dhe i fundit është borxhi publik, i cili duhet të ulet” - tha ai.

Banka Botërore thotë se rajoni i Ballkanit mund të preket nga pasiguritë e zgjatura rreth krizës së eurozonës në fushat e tregtisë, investimeve të huaja, bankat e huaja, dhe pagat e emigrantëve. Bardh Sejdarasi analisti i organizatës “Biznes Albania”, thotë se tani që eurozona është në krizë, vendet e europës juglindore me mbi 60 milionë klientë duhet të shtojnë tregtinë midis tyre, dhe për këtë qeveria duhet të përshtatë ligjet për një klimë më të mirë në shkëmbimet tregtare me rajonin. Nga ana tjetër thotë zoti sejdarasi investimet e huaja po bien për shkak të krizës, por Shqipëria ka potenciale të mëdha me investime vendase që duhet t’i shfrytëzojë më mirë.

“Investimet e huaja po bien, për arësyen e krizës, por tani duhet të nxitet investimi vendas. Privati shqiptar ka kapacitete ende të pashfrytëzuara dhe, kombinuar me investimet e huaja, do të ndikojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ky është një çelës i mirë që qeveria shqiptare duhet të identifikojë. Përveç investimeve të huaja që janë në proces, apo që mund të vijnë, edhe investimet vendase kanë potenciale shumë të mëdha. Ne ishim vendi i parë në rajon për rritje të depozitave në banka. Kjo duhet të shfrytëzohet më mirë nga bankat për të kredituar më shumë rritjen ekonomike. Bizneset vendase në kushte aktuale i ka frenuar më shumë psikologjia e krizës. Ato kanë nevojë nga qeveria një klimë më të favorshme për investime, në mënyrë që investimet të kryhen me paratë e vetë shqiptarëve” - tha ai.

Tregtia me Bashkimin Evropian zë pothuajse gjysmën e prodhimit të brendshëm të vendeve të Europës Juglindore. Eksportet-importet janë përmirësuar me be, ndërsa paratë e emigrantëve kanë rënë për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjen dhe Serbinë. Bankat e huaja zënë 89 për qind të sistemit bankar në rajon. “Bankat duken të qëndrueshme dhe me likuiditet të lartë, por rreziqet e kredisë po zmadhohen për shkak të zhvillimet negative në BE” - thotë raporti i Bankës Botërore-së.

XS
SM
MD
LG