Lidhje

Kanioni i Madh, burim frymëzimi për piktorë e fotografë


Kanioni i Madh, burim frymëzimi për piktorë e fotografë
Kanioni i Madh, burim frymëzimi për piktorë e fotografë

Një nga destinacionet më popullore për turistët në Shtetet e Bashkuara ka tërhequr prej një kohe të gjatë edhe piktorët e fotografët. Grand Canyon, Kanioni i Madh i lumit Kolorado, në Arizonën veriore, është kaq i gjerë dhe i thellë, sa që përbën një sprovë për aftësitë e artistëve për të paraqitur qoftë edhe një pjesë të vogël të madhështisë dhe bukurisë së këtij monumenti natyror. Shumë artistë e kanë burim frymëzimi pejsazhin dhe atmosferën e Kanionit të Madh.

Ky është fillimi i ditës së punës për Linda Glover Guç, në një mëngjes të kthjellët në pjesën jugore të Kanionit të Madh. Fillon me disa lëvizje të thjeshta të penelit. Pak nga pak, fillojnë të shfaqen imazhet. Natyrisht, mijëra turistë vijnë këtu çdo ditë për të bërë fotografi, me shpresën se do të fiksojnë në celuloid disa nga mrekullitë e Kanionit të Madh.

Edhe Linda Glover Guç mund të kishte përdorur thjesht një fotografi të këtij vendi dhe të kishte qëndruar në studion e saj në Tempe, të Arizonës. Por ajo thotë se nuk do të kishte qenë njëlloj.

“Ka ndryshim tepër të madh, sepse këtu je i përfshirë në këtë mjedis dhe ndjen ajrin e pastër. Fotografitë janë të bukura, por ato e humbin një pjesë të ndjesisë që mbizotëron në këtë vend. Këtu e përjeton mjedisin konkretisht prandaj dhe emocionet janë të pranishme në të njëjtën kohë që je duke punuar”.

Këtë artistët e quajnë “pikturë në ajër të pastër”, ku mjedisi dhe ndryshimi i dritës ndikon tek atmosfera dhe toni i veprës së tyre.

Punonjësi i Parkut të Kanionit të Madh, Skot Krajnak, thotë se kjo është metoda më e mirë për të pikturuar këtë vend.

“Jo shumë njerëz e kuptojnë rëndësinë e artit në parqet kombëtare. Ishin veprat e artit që i bënë të njohura këto vende, para televizorit, apo internetit. Arti ka luajtur një rol të madh në popullaritetin e parqeve kombëtare”.

Punimet e Linda Glover Guç gjenden në shumë ekspozita, si për shembull në Galerinë Lorenc në Skotsdejl të Arizonës. Pikturat e saj u ofrojnë imazhe nga natyra pejsazhet shkretinore koleksionistëve të apasionuar, të cilët duan t’i kenë bukuritë e këtij pejsazhi në shtëpinë e tyre. Krijimi i këtyre pikturave në natyrë, është puna e jetës së saj.

“Dua të kap dritën kur bie në atë vend, pasi do të arrijë atje pas një ore dhe do të marrë një pamje gjithë ndriçim”.

Kjo pikturë e vogël e Kanionit të Madh i merr një ditë pune piktores Linda Glover Gooch. Për Lindën, nuk ka vend më të bukur për të kaluar ditën.

“Nuk mund të shpjegohet me fjalë. Ky është një vend i mrekullueshëm, ka plot të papritura, sepse pamja këtu ndryshon vazhdimisht. Moti nuk është kurrë njëlloj, pra të shfaqen pamje të ndryshme. Mund të pikturosh gjatë gjithë jetës këtu dhe gjithmonë zbulon pamje të ndryshme”.

Në fund të ditës, vizioni i saj për këtë pikë të veçantë të kanionit, finalizohet dhe është gati për ekspozim. Por drita këtu ndryshon vazhdimisht dhe me të edhe pamja. Pikërisht kjo e bën piktoren të vijë përsëri këtu për të krijuar vepra të reja.

XS
SM
MD
LG