Lidhje

Takim SHBA-Izrael, ndërkohë që tensionet vazhdojnë


Takim SHBA-Izrael, ndërkohë që tensionet vazhdojnë
Takim SHBA-Izrael, ndërkohë që tensionet vazhdojnë

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu filluan bisedimet për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, ndërsa situata mes Izraelit dhe palestinezëve është e tensionuar lidhur me rifillimin e ndërtimit të vendbanimeve nga ana e Izraelit.

Para fillimit të bisedimeve sot në Nju Jork, zonja Klinton tha se ajo dhe zoti Netanjahu do të diskutojnë për gjithçka. Zoti Netanjahu tha se po përpiqet të gjejë rrugë për rifillimin e negociatave me palestinezëtm, në mënyrë që siç tha ai të arrihet një marrëveshje historike.

Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve ngecën në shtator, kur skadoi moratoriumi mbi ndërtimet në Bregun Perëndimor. Palestinezët janë kundër ndërtimeve izraelite në një territor që ata e konsiderojnë pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm.

Tensionet mes dy palëve u shtuan në fillim të kësaj jave pasi Izraeli tha se planifikon të ndërtojë një mijë e 300 apartamente në zonën e debatuar të Jeruzalemit Lindor.

Krerët palestinezë thonë se nuk do të kthehen në bisedime të drejtpërdrejta ndërkohë që vazhdojnë ndërtimet.

Takimi ndodh një ditë pasi zonja Klinton njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Autoritetit Palestinez 150 milion dollarë të tjera ndihma këtë vit.

Ajo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk i mbështesin hapat e njëanshëm nga Izraeli apo palestinezët që mund të pengojnë negociatat e drejtpërdrejta.

XS
SM
MD
LG