Ligjvënësit republikanë thonë se do të fokusohen në pakësimin e borxhit kombëtar dhe shkurtimin e shpenzimeve federale, kur të fillojë punën kongresi i 112 i Shteteve të Bashkuara, të mërkurën e ardhshme. Duke folur në një kanal televiziv amerikan, senatori republikan Lindsi Graham, tha se republikanët në Kongres duhet të punojnë për uljen e shpenzimeve dhe zvogëlimin e qeverisë amerikane, duke filluar nga viti 2012, kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Elajxha Kamings, i cili do të jetë përfaqësuesi më i lartë demokrat në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Kontrollin dhe Reformat, tha se fitoret e republikanëve japin sinjalin se votuesit duan që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Shumë analistë politikë pohojnë se Kongresi i mëparshëm ka qenë një ndër më produktivët e shekullit. Por shumë ekspertë shqetësohen se Kongresi i ri do të përfshihet nga përplasje të reja partiake, gjë që do t’ua vështirësojë ligjvënësve zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet vendi.
Demokratët humbën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, gjë që nënkupton se ligjvënësi republikan Xhon Bejnër ka shanse të bëhet kryetari i ardhshëm i Dhomës.
Demokratët kanë një shumicë të ngushtë në Senat, pra Kongresi do të jetë i përçarë.
Ekspertët pohojnë se Kongresi aktual do të hyjë në histori si një ndër më produktivët. Norman Ornstein është analist në Institutin American Enterprise.
“Ky Kongres që amerikanët e kritikojnë në linja të gjera, në shumë raste pasi mendojnë se nuk ka bërë asgjë, të tjerë pasi i shohin si negative veprimet e tij, është në një rang me Kongresin e 89 të Lindon Xhonsonit”.
Arritjet përfshijnë reformat e gjera në sistemin e shëndetësisë dhe reforma të rëndësishme në institucionet financiare.
Zoti Ornstein thotë se votuesit i ndëshkuan demokratët si rezultat i papunësisë së lartë.
Nga ana republikane, ata zgjodhën një numër kandidatësh që përkraheshin nga lëvizja Tea Party, të cilët mbështesin politika konservatore fiskale dhe buxhetore dhe një rol të kufizuar të qeverisë.
Ligjvënësi republikan Tim Skot është një ndër këta të sapo-zgjedhur. Ai thotë se deputetët e rinj do të imponojnë ndryshime:
“Nuk ka asnjë dyshim se kur të fillojë punimet Dhoma e Përfaqësuesve me 83 deputetë të rinj, apo një e treta e grupit republikan, ne do të kemi mundësi të ushtrojmë ndikimin tonë mjaft shpejt”.
Zoti Ornstein thotë se me zëvendësimin e demokratëve dhe republikanëve të moderuar nga anëtarë të rinj më të prerë në pikëpamje, ka gjasa që klima në Uashington të jetë më e polarizuar:
“Ka pasur plot raste kur tensionet janë acaruar, si në rastin e fillimit të procesit për shkarkimin e Presidentit Nikson. Po ashtu në rastin e Presidentit Klinton apo të Luftës në Vietnam. Ishte edhe momenti i hetimeve të skandalit Iran-Kontra, pra momente kur marrëdhëniet mes dy partive ishin shumë të tensionuara. Por tani është më keq”.
David Hokings i buletinit Congressional Quarterly thotë se Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane ka për ta acaruar Presidentin:
“Republikanët kanë në dorë mundësinë për të thirrur për dëshmi zyrtarë, për të hapur procese hetimore, për të organizuar seanca dëgjimore. Pra mund t’i sjellin këshilltarët e presidentit në Kongres e t’i bëjnë objekt kritikash para kamerave”.
Presidenti Obama, me marrëveshjen për të vazhduar shkurtimet e taksave për të gjithë amerikanët, edhe ata të pasur, ka treguar se është i gatshëm për kompromis me republikanët.
Por ai ka revoltuar një numër demokratësh, të cilët thonë se presidenti ka sakrifikuar parime themelore të demokratëve.
Në 2011, ka gjasa që presidentit do t’i duhet të mundohet më shumë për të gjetur baraspeshën e vështirë me një Kongres të përçarë.