Në shtator 2011 do të mbushen plot 10 vjet që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Ndërkohë që personi që mendohet si ideator i këtyre sulmeve, Khalid Sheik Mohamed mbahet nën arrest nga autoritetet amerikane, nuk është e qartë se ku mund të zhvillohet procesi i tij gjyqësor. Një nga arsyet janë polemikat e vazhdueshme lidhur me sistemin gjyqësor që do të zhvillojë procesin, ai civil apo ushtarak. Disa nga gjyqet kundër të dyshuarve për terrorizëm ende nuk e kanë zgjidhur këtë dilemë:
Në muajin janar, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Blumberg e tërhoqi mbështetjen që i kishte dhënë më parë një vendimi të administratës Obama për të gjykuar persona të dyshuar për sulmet e 11 shtatorit në gjykatat civile të Nju Jorkut. Zoti Blumberg tha se gjyqe të tilla mund t’i kushtonin qytetit qindra miliona dollarë si kosto shtesë për sigurinë:
“Ka vende ku do të kushtonte më pak për taksapaguesit dhe do të shkaktonte më pak ndërprerje se në Nju Jork. Për shembull në baza ushtarake jashtë qendrave urbane, ku është më e lehtë dhe më pak e kushtueshme të garantohet siguria”.
Anëtarët republikanë të Kongresit kanë ngritur kritika lidhur me gjykimin e të pandehurve në gjykata civile. Ata akuzojnë administratën se po tregohet e butë me të akuzuarit për terrorizëm duke mos i nxjerrë në gjykata ushtarake. Senatori republikan nga Alabama Xhef Seshëns:
"Gjyqet civile për luftëtarët terroristë nuk i kërkon ligji, politika, historia, traktatet apo drejtësia e thjeshtë. Megjithatë, me sa duket kjo politikë vazhdon të mbetet në fuqi, ose së paku e pazgjidhur”.
Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder ka pohuar se e konsideron këtë çështje si të pazgjidhur:
"Nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me forumin në të cilin do të gjykohet Khalid Sheik Mohamedi apo të pandehurit e tjerë. Siç e kam thënë që në fillim, ka argumente për të dyja gjykatat. Duhet ta kenë të qartë të gjithë se ka një numër faktorësh që lidhen me drejtësinë, sigurinë kombëtare dhe çështje praktike që po analizohen”.
Në proceset gjyqësore të zhvilluara deri tani në gjykatat civile nuk ka pasur probleme sigurie. Gjykata civile u duk se ishte alternativa e duhur kur një juri e përbërë nga banorë të Nju Jorkut shpalli fajtore mjeken neurologe pakistaneze Asfia Sadiki për sulmin me armë zjarri në shtator ndaj agjentëve të FBI-së dhe ushtarëve, pas arrestimit të saj në Afganistan. Ajo u dënua me 86 vjet burgim. Megjithatë, 2 muaj më pas, juria në të njëjtën gjykatë shpalli të pafajshëm të pandehurin Ahmed Ghilani për të gjitha akuzat me përjashtim të njërës. Ai u gjykua në lidhje me shpërthimet e 1998-s në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani.
Pedagogu i Drejtësisë në Universitetin e Kolumbias Matthew Waxman thotë se vendimet e gjykatave ushtarake mund të anulohen me apel, ashtu si edhe në gjykatat civile. Ai shton se dënimet në këto gjykata nuk janë medoemos më të ashpra se ato të sistemit civil:
“Kemi parë plot procese në gjykata civile që kanë përfunduar me vendime dhe dënime mjaft të forta për të pandehurit për terrorizëm. Po ashtu kemi parë plot komisione ushtarake të japin dënime të lehta”.
Ai sjell si shembull dallimin radikal mes dënimit të pezulluar prej 9 muajsh burgim për australianin Dejvid Hiks nga një gjykatë ushtarake amerikane dhe dënimin me 20 vjet burgim që iu dha të ashtu-quajturit “amerikani- taleban” Xhon Uoker Lind nga një gjykatë civile. Të dy ata u arrestuan në Afganistan, ku ishin bashkuar me talebanët. Një gjykatë ushtarake po ashtu dënoi me 5 vjet e gjysmë Salim Ahmed Hamdanin, roje personale dhe shofer i udhëheqësit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, ndërsa Ahmed Gilani pritet të marrë dënim me burgim prej minimumi 20 vjetësh në një gjykatë civile.
Ndërkohë, ende nuk është marrë ndonjë vendim se ku dhe kur do të gjykohet Khalid Sheik Mohamed. Po ashtu ka gjasa që ai të mbahet nën arrest në bazën Guantanamo të Kubës për një afat të pacaktuar nën kategorinë e “luftëtarit armik”. Të dyshuar të tjerë të një rëndësie më të ulët mund të vazhdojnë të gjykohen në gjykata civile.