Lidhje

Presidenti Obama përgatitet për takimet e NATO-s në Lisbonë


Presidenti Obama përgatitet për takimet e NATO-s në Lisbonë
Presidenti Obama përgatitet për takimet e NATO-s në Lisbonë

Presidenti amerikan Barak Obama sapo ka përfunduar një turne në 4 vende aziatike dhe përgatitet për takimet e nivelit të lartë të NATO-s që zhvillohen javën e ardhshme në Lisbonë për të diskutuar përparimin e deritanishëm të luftës në Afganistan si dhe të ardhmen e Aleancës. Gjatë qëndrimit në Portugali, Presidenti Obama do të takohet edhe me udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe Presidentin rus Dimitri Medvedev për të diskutuar sfidat globale ekonomike dhe marrëdhëniet me Rusinë:

Zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara mund të jenë një temë e nxehtë në Lisbonë, megjithëse politika e brendshme amerikane nuk është në axhendën e takimit:

“Nuk do të rekomandoja që çdo president i ardhshëm të marrë një goditje të tillë, siç më ndodhi mua në zgjedhjet e fundit,” tha presidenti me shaka.

Udhëheqësit që mblidhen në Lisbonë mund të kenë pikëpyetje nëse humbjet e partisë së presidentit Obama në zgjedhjet e mes-mandatit mund të dëmtojnë pozitën e tij në politikën e jashtme, parashikon Xhejms Goldgajër, pedagog i shkencave politike në Universitetin Xhorxh Uashington:

“Mendoj se do të vërejmë si nga aleatët ashtu edhe nga Rusia përpjekje për t’i gjetur përgjigje kësaj dileme. Pra çfarë nënkuptojnë zgjedhjet e fundit për pozitën e Obamës? A do të jetë ai në gjendje të zbatojë programin e tij?”

Por Presidenti Obama mbetet një udhëheqës i fortë në çështjet globale mendon Majkëll O’Henlon, studiues në Institutin Brookings në Uashington:

“Ai mbetet Komandanti i Përgjithshëm i vendit më të fuqishëm në botë, ai vazhdon të jetë mjaft popullor jashtë vendit, ndërkohë që ka ende plot tema dhe përparësi ndërkombëtare që kërkojnë një angazhim madhor dhe të vendosur të Amerikës, një ndër të cilat është Afganistani”.

Lufta në Afganistan do të jetë në axhendën e NATO-s. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Obama vazhdon t’u përmbahet planeve për të filluar tërheqjen e trupave amerikane në korrik 2011, por kohët e fundit është theksuar me të madhe kalimi i përgjegjësive të mbrojtjes në duart e afganëve në vitin 2014.

Presidenti rus Dmitri Medvedev do të takohet në Lisbonë me udhëheqësit e NATO-s dhe pa dyshim, Afganistani do të jetë një ndër temat që diskutohen.

Analisti Majkëll O’Hanlon thotë se Moska po e ndihmon në shumë mënyra NATO-n, si për shembull duke lejuar kalimin e furnizimeve përmes Rusisë dhe aleatëve të saj në Azinë Qendrore:

“Ky është një avantazh i madh, duke pasur parasysh që kemi rreth 140 mijë trupa ndërkombëtare në Afganistan dhe se kemi marrëdhënie të komplikuara me Pakistanin dhe nuk duam të varemi plotësisht tek ky vend për nevoja logjistike”.

Pjesëmarrja e zotit Medvedev në takimet e NATO-s do të ofrojë një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve Nato-Rusi, të ngjashme me përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi.

Mbrojtja nga raketat do të jetë temë parësore për Presidentët Obama dhe Medvedev, si dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s.

Rusia ka kundërshtuar planin për mbrojtjen nga raketat të hartuar nga Presidenti Xhorxh Bush. Plani parashikonte dislokimin e sistemit në Poloni dhe Republikën Çeke. Administrata Obama ka paraqitur një plan të modifikuar që përqendrohet tek kërcënimi bërthamor nga Irani.

Analisti Xhejms Goldgajër thotë se zoti Obama shpreson që homologu rus të bashkëpunojë me NATO-n në këtë çështje:

“Kjo do të ishte një fitore e madhe për Presidentin Obama, jo vetëm për politikat e tij, jo vetëm për politikat e NATO-s, por edhe një sinjal ndaj Iranit se Rusia e merr seriozisht këtë kërcënim dhe synon të angazhohet në sistemin e mbrojtjes nga raketat”.

Udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë një Koncept të ri Strategjik për Aleancën. Synimi është që NATO-ja të bëhet më elastike për të përballuar kërcënime të reja, si sulmet në rrjetet elektronike apo terrorizmin.

Para se Presidenti Obama të kthehet në Uashington, ai do të diskutojë edhe sfidat ekonomike me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG