Lidhje

Pensionistët amerikanë angazhohen në punë vullnetare me fëmijët


Mjaft pensionistë amerikanë kërkojnë mënyra të dobishme për të kaluar kohën dhe për këtë arsye punojnë vullnetarisht. Me përvojën e jetës së tyre dhe dijet që kanë, qytetarët e moshuar mund të jenë burime produktive në shoqëri. Sipas disa studimeve, kontributi që të moshuarit japin duke u aktivizuar me fëmijët që kanë nevojë për ndihmë në shkollë, mund të ketë përfitime shëndetësore edhe për vetë të moshuarit që kontribuojnë.

Shenaia Anderson është në klasën e dytë në shkollën fillore Whittier në Washington. Ajo është pak mbrapa në matematikë dhe lexim.

Ajo merr kurse dy herë në javë me vullnetaren 62 vjeçare Shirley Mickel.

“ Më pëlqen puna që bëj. Më jep mundësinë që të kontribuoj. Po ashtu më ndihmon të ruaj aftësitë që kam dhe të jem në kontakt me fëmijë. Fëmijët i dua shumë dhe kënaqem kur e shoh se mësojnë”.

Zonja Mickel doli në pension, pasi kishte punuar për qeverinë federale si hetuese e çështjeve të diskriminimit. Gloria Pendelton është 65 vjeçare. Ajo punonte për marinën amerikane si programuese e sistemit kompiuterik. Edhe Gloria është vullnetare në shkollën Whitter.

“Ndjehem shumë më mirë, më duket sikur po mësoj. Vazhdimisht përpiqem të mësoj së bashku me fëmijët”.

Si Shirley ashtu edhe Gloria janë pjestare të Korpusit të Përvojës, një program kombëtar i cili angazhon individë mbi moshën 55 vjeçare për të ndihmuar nxënësit e familjeve me të ardhura të ulta. 2000 vullnetarët e kësaj organizate, ndihmojnë nxënës të shkollave fillore në 23 qytete anembanë vendit.

Kathleen Kaye ka marrë pjesë në program për 3 vjet e gjysëm.

“Kam parë shumë fëmijë që janë ngritur në nivelin e tyre mësimor, si pasojë e vëmendjes individuale që u kushtojmë. Ata kapin ose kalojnë nivelin e njohurive që i kërkohet për klasën që ndjekin”.

Zonja Kaye thotë se i duket që përfitimet që nxjerr nga puna vullnetare janë më të mëdha se kontributi i saj. Të njëjtën përshtypje ka edhe Irving Wilson i cili ka 7 vjet që merr pjesë në program.

“Kam përfituar shumë nga ky program. Aktivizohem mendërishte, por duke ardhur në shkollë 3 herë në javë, më duhet të ec, ngjis e zbres shkallët, çka më mban dhe fizikisht aktiv”.

Studimet e fundit në Universitetin Johns Hopkins në Baltimorë të Merilendit, tregojnë se vullnetarët përfitojnë nga përpjekjet e tyre.

Michelle Carlson është zëvendës drejtore në qendrën e Shëndetit dhe Plakjes në këtë universitet.

“Ata individë që kontribuojnë në një program si Korpusi i Përvojës, janë të angazhuar nga ana mendore, pasi duhet të gjejnë mënyra për të zgjidhur problemet. Duke ndihmuar fëmijët që të lexojnë, ata stimulojnë disa zona të trurit, si lobin ballor të trurit, dhe duke përmirësuar këtë pjesë të trurit mund të pakësohen rreziqet për t’u prekur nga probleme të degradimit të trurit që çojnë deri në sëmundjen e Alzajmerit”.

Zonja Carlson thotë se numri i të moshuarve po shtohet në botë, dhe ka përfitime të dyanshme duke i aktivizuar ata me fëmijë që kanë nevojë për ndihmë.

“E bukura e kësaj pune është se ne nuk po u themi të pinë ilaçe. Ne u kërkojmë këtyre njerëzve që të aktivizohen sërish, me njerëz që kanë nevojë, dhe duke ndihmuar të tjerët në të njëjtën kohë ndihmojnë veten”.

Vullntarët thonë se e ndjejnë shpërblimin për punën që bëjnë kur fëmijët që rriten në sytë e tyre, dhe se janë të kënaqur që janë të aftë për të kontribuuar në ndihmë të komunitetit.

XS
SM
MD
LG