Lidhje

Prodhimi i verërave, një aktivitet në rritje në shtetin e Virxhinias


Prodhimi i verërave, një aktivitet në rritje në shtetin e Virxhinias
Prodhimi i verërave, një aktivitet në rritje në shtetin e Virxhinias

Kriza ekonomike i ka bërë shumë amerikanë që të ulin shpenzimet vitet e fundit. Një nga artikujt ku amerikanët nuk kanë kursyer në këtë periudhë është vera. Megjithëse shifrat nuk janë mbledhur ende për vitin 2010, Grupi për Informacionin për Pijet llogarit se konsumi i verës në Shtetet e Bashkuara u rrit për të 17-in vit me radhë. Amerikanët po blejnë gjithashtu më shumë verëra të vendit sesa të importuara dhe jo të gjitha vijnë nga vreshtat e famshme të Kalifornisë në brigjet perëndimore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Susan Logue vizitoi një rajon që shpreson të bëhet Lugina e Napës në Lindje, në afërsi të Uashingtonit.

Vitin e kaluar, rreth 12 mijë vetë vizituan punishten e verës Hillsboro në Përsëvill të Virxhinias, rreth 80 kilometra larg Uashingtonit për të provuar verërat e saj. Megjithëse ka qenë krizë, biznesi ka ecur mirë, sipas pronarit Bora Baki.

“Ne kemi një thënie në turqisht që përkthehet pak a shumë kështu: kur ke dhimbje pi, kur je i lumtur pi. Kështu që megjithëse ekonomia ishte e dobët, njerëzit e gjejnë mënyrën që të gëzojnë të paktën me një gotë verë”.

Baki nuk kishte ndër mend që të menaxhonte punishte vere kur erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Turqia në vitin 1979. Ai ishte gati të hiqte dorë nga biznesi i importit, kur i biri Karem e bindi që të merrej me prodhimin e verës, para 10 vjetësh.

“Unë isha gati të diplomohesha dhe të dy po përpiqeshim të gjenim se çfarë të bënim”.

Karem mori më pas një diplomë universitare për prodhimin e verës. Ai jo vetëm që bën verë për biznesin e familjes por edhe për vreshta të tjera në Virxhinia.

“Me rajonet e ndryshme në Virxhinia, kushtet janë thuajse të përkryera. Sigurisht që ne kemi problemet dhe vështirësitë tona, por përsa i takon potencialit për një rajon ku rritet rrushi, gjërat shkojnë shumë mirë”.

Kur Hillsborough u hap në vitin 2003, ishte punishtja e 96 e verës në Virxhinia. Sot ky numër ka arritur në 190.

An Haidig është Presidente e Shoqatës së Punishteve të Verës në Virxhinia. Ajo hapi punishten e verës Lake Anna në vitin 1990 kur Virxhinia kishte vetëm pak më shumë se 10 të tilla.

“Mendoj se cilësia e verërave të Virxhinias ka tërhequr disa investitorë të mëdhenj që të vijnë e të fillojnë të rrisin vreshta dhe të prodhojnë verë këtu. Edhe nga Kalifornia kemi disa vetë që kanë ardhur dhe kanë hapur punishte. Mendoj se ata e shohin si shans sepse është një industri e re dhe po rritet dhe është gjithashtu një industri me fitime për bujqësinë në këtë shtet”.

Megjithëse disa punishte në Virxhinia prodhojnë deri në 40 mijë arka vere në vit, shumica e tyre janë të vogla. Mesatarja për to është 2 mijë e 500 deri në 5 mijë arka, 60 për qind e të cilave shiten tek punishtja.

Turizmi është ai që i jep shtysë industrisë së verës këtu, thotë Pandit Patil i cili së bashku me gruan e tij Sudha hapi punishten Narmada në Ajmësvill në nëntor 2009.

“Dua që pas pesë vjetësh të gjithë ta shohin këtë zonë si destinacion dhe për këtë po punojmë”.

Si shumë punishte në Virxhinia, Narmada është e rrethuar nga panorama të mrekullueshme.

Dhe të shtunave dhe të dielave ka muzikë. Po ashtu ofron edhe diçka që punishte e tjera nuk e kanë.

“Ne kemi një gjë të veçantë sepse vijmë nga origjinë indiane. Disa nga verërat tona mund të kombinohen me ushqimet indiane që shërbejmë këtu”.

Sudha filloi të prodhojë verë që që nga viti 2008. Ajo ka marrë disa medalje në konkurse. Këto vlerësime mund të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për Narmadën nëse industria e naftës në Virxhinia vazhdon të zgjerohet.

Por Anetë Boid e Zyrës së Marketingut në Bordin e prodhimit të Verës në Virxhinia thotë se tregu nuk është i ngopur.

“Kjo s’mund të vazhdojë pa fund por tani për tani ndërsa prirja është drejt rritjes së konsumit, interesi për verërat lokale dhe mundësitë e tjera të prodhimit po rritet. Mendoj se kemi shumë punë para se të arrijmë në atë pikë”.

Tani për tani prodhuesit e verës si Karem Baki dhe Sudha Patil do të përqendrohen tek prodhimi i verërave më të mira që mund të prodhojnë vreshtat e tyre.

XS
SM
MD
LG