Lidhje

Shqipëri: Fshehja e krimeve të diktaturës po pengon demokracinë


Në Tiranë, po zhvillohen “Ditët e Kujtesës”, një seri veprimtarish për të kujtuar dhe ndriçuar krimet e diktaturës komuniste.

Studiuesit pohuan se fshehja e krimeve të komunizmit po pengon edhe sot forcimin e demokracisë dhe shtetit shqiptar.

Shqipëri: Fshehja e krimeve të diktaturës po pengon demokracinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë zhvilloi një veprimtari në vazhdim të Ditëve të Kujtesës, ku u publikuan botimet shkencore mbi diktaturën: "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2", "Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist 7", si dhe "Dokumente në politikat kulturore dhe indoktrinimin e shoqërisë nga shteti komunist shqiptar në vitet 1945-1990”.

Anëtarë të Institutit pohuan se zbulimi i krimeve të diktaturës është nevojë urgjente për Shqipërinë, sepse e kaluara e errët e regjimit komunist po dëmton edhe sot shoqërinë shqiptare.

Në tubim mori fjalën edhe Bedri Blloshmi, ish i burgosur politik, vëllai i poetit të pushkatuar nga diktatura komuniste, Vilson Blloshmi. Ai kërkoi më shumë vendosmëri dhe këmbëngulje në zbardhjen e të vërtetave të krimeve të komunizmit, që edhe sot po mbulohen nga ish-zyrtarë të atij regjimi të futur në administratën e sotme.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Institutit pohuan se zbardhja e krimeve të komunizmit nuk është një punë aspak e lehtë, sepse ka pengesa të shumta, dokumentat janë të mbyllura, ndërsa dëshmitarët po pakësohen.

Shqipëria vuajti për afro gjysmë shekulli nën njërën nga diktaturat më të egra komuniste të Europës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Krahas mijëra të vrarë me gjyq e pa gjyq si kundërshtarë të regjimit komunist, mijëra të tjerë të burgosur e internuar, janë edhe disa mijëra persona të zhdukur, që nuk u dihet as varri, thjesht pse ishin të pakënaqur apo kritikonin diktatorin Enver Hoxha.

Studiuesit besojnë mos zbardhja e krimeve të diktaturës edhe sot pas afro 3 dekada nga rrëzimi i atij regjimi po pengon forcimin e demokracisë dhe shtetit shqiptar si dhe rehabilitimin me dinjitet të viktimave të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG