Lidhje

Shkodër: Goditet grupi i trafikut të drogës


Katër persona, pjesë e një grupi kriminal, që ka lidhje me organizimin, financimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, u arrestuan të mërkurën gjatë një operacioni policor të zhvilluar në segmentin rrugor Lezhë-Shkodër me mbështetjen e forcave speciale të policisë.

Të arrestuarit janë nga Velipoja dhe Vau i Dejës. Burime nga Bashkia Vau Dejës bënë të ditur se, njëri prej katër të arrestuarve, Dod Dodani, banor i fshatit Mnelë në këtë bashki, është anëtar i këshillit bashkiak, përfaqësues i partisë Aleanca Demokristiane.

Sipas policisë vendore, gjatë arrestimit u gjetën dhe sekuestruan si provë materiale rreth 100 kilogram lëndë narkotike, e dyshuar si marijuana. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Dodani, u gjet edhe një sasi tjetër lënde narkotike, me peshë 222 gram.

Prokuroria e Shkodrës, në një njoftim të saj, bëri të ditur se Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve ka grumbulluar të dhëna të mjaftueshme mbi veprimtarinë e këtij grupi kriminal, të lidhur me organizimin, financimin, transportin dhe trafikun e drogës dhe se po vijon operacioni për kapjen edhe të përsonave të tjerë, të përfshirë në këtë linjë trafiku të drogës.

Në takimin ‘Për një Shqipëri pa kanabis’, organizuar në mesin e muajit shkurt të këtij viti, ku u paraqit raporti i policisë shqiptare dhe Guradia di Finanza për luftën ndaj kanabisit gjatë vitit 2018, u tha se Shqipëria ka dalë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike dhe se gjatë vitit 2018, trafiku i drogës drejt Italisë, në krahasim me një vit më parë, ka shënuar rënie me 81 përqind.

Gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, policia shqiptare ndërmori një operacion masiv për kontrollin e territorit, (magazina, depo, bunkerë, sera, banesa të izoluara) duke asgjësuar sasitë të mëdha të bimëve narkotike.

Por rastet e zbuluara edhe gjatë këtij viti dëshmojnë se ka ende sasi të fshehura me bimë narkotike, që presin të trafikohen nga grupet e trafikut të drogës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG