Lidhje

Shqipëri: Përsëri polemika për imunitetin


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha i cilësoi sot të papranueshme kërkesat e opozitës për të shoqëruar cështjen e heqjes apo kufizimit të imuniteve me ndërhyrje të tjera kushtetuese që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe emërimin e drejtuesve të institucioneve kryesore të vendit.

Nga ana e tij kryetari socialist Edi Rama, pas një takimi me ambasadorin amerikan Alexandër Arvizu, këmbënguli se partia e tij nuk do të pranonte që kushtetuta të arnohej dy herë, tha ai. Për ambasadorin Arvizu, parlamenti shqiptar duhej të miratonte cështjen e imuniteteve dhe më pas mund të trajtonte dhe kërkesat e socialistëve.
Duket se ka hyrë në një rrugë pa krye debati mbi imunitetet, pas propozimit të socialistëve për të përfshirë në diskutim edhe disa ndryshime të tjera kushtetutese që sipas tyre do t’i jepnin më shumë garanci dhe do të forconin pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, kryeministri Berisha u shpreh kategorikisht kundër duke e cilësuar “të papranueshme” dhe si “një pazar me drejtësinë” një kërkesë të tillë. Sipas tij zoti Rama kërkon të bëjë atë cka bëri me avokatin e Popullit institucion që mbeti dy vjet pa kreun e tij:

“Për zotin Rama, rëndësi ka pazari dhe në shkëmbim të kësaj kërkon atë që ndodhi me Avokatin e Popullit, institucionin e të cilit e mbajti dy vjet pa kryetar. Ai kërkon që të gjithë krerët e institucioneve, i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, i të gjithë gjyqtarëve të këtyre gjykatave, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm Presidenti i Republikës të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, çka do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucioneve pa kokë. Kjo është Kushtetuta e sundimit të pakicës. Por kjo nuk do t’i vendoset kurrë, këtij vendi”.
Kryeministri ftoi socialistët që të votojnë imunitetin më 6 gusht. Palët nuk kanë dallime të thella për këtë cështje, dhe kryeministri u shpreh i hapur për gjetjen e një zgjedhjeje mes dy varianteve të ofruara. Thirrja për të votuar imunitetet u përsërit sot edhe nga amasadori amerikan aleksandër Arvizu pas një takimi që ai pati me kryetarin socialist.



“Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë deklaruar qëndrimin e tyre se heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm drejt luftës kundër korrupsionit, drejt arritjes së një llogaridhënieje më të lartë nga ana e zyrtarëve publikë. Thënë këtë – shtoi ambasadori Arvizu - ne besojmë se heqja e imuniteteve është vetëm një hap nga disa të tillë që duhet të merren në mënyrë që korrupsioni të luftohet në mënyrë efektive dhe se disa nga këto hapa përfshijnë masa që duhet t’i japin fund ndërhyrjes së tepërt politike tek funksionimi i gjyqësorit, tek puna e zyrës së prokurorit, etj. Koha e ndërmarrjes së hapave për këto masa është diçka që i takon sistemit politik shqiptar ta vendosë, por, nga pikëpamja jonë, është e rëndësishme që kjo të kryhet”.
Sipas ambasadorit amerikan, propozimet e socialistëve mund të trajtoheshin në një kohë të dytë: “Qartazi, çështjet më të gjera nuk mund të shqyrtohen para 6 gushtit. Por nuk shoh pse ato nuk mund të merren në shqyrtim në shtator, ose në pjesën e parë të tetorit. Mendoj se është e rëndësishme që ato të merren në shqyrtim pasi do të ishte keqinterpretim të thuhej se, nëse nenet e imunitetit hiqen, atëherë lufta kundër korrupsionit do të jetë efektive. Është një hap i rëndësishëm, është një hap thelbësor, por është vetëm një hap”.
Por kryetari Rama u shpreh i vendosur për të mos i ndarë të dyja cështjet:“Partia Socialiste është absolutisht e vendosur për heqjen/kufizimin e imunitetit është një qëndrim i yni i kahershëm. Kemi pritur vite që pala tjetër të vijë në pozicionin tonë që kjo bëhet me një ndryshim kushtetues. Por, Partia Socialiste nuk do të arnojë Kushtetutën në gusht dhe të bëjë pastaj arnime të tjera në shtator. Ne duam një diskutim, i cili të jetë i plotë për të gjitha çështjet dhe pastaj në fund të këtij diskutimi secila palë voton ose nuk voton atë çka konsideron të nevojshme ose të panevojshme. Shqiptarët le të gjykojnë". Sipas zotit Rama, në këtë mënyrë Shqipëria do të kishte një shans shumë më të madh për të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi europian.
XS
SM
MD
LG