Lidhje

Shqipëri: Pronarët e tokave thonë se ligji i ri shkel të drejtat e tyre


Në Shqipëri, shoqatat e pronarëve vendosën të ankohen përsëri në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut mbi ligjin e ri të pronave, pasi sipas tyre ai shkel hapur të drejtat e pronarëve.

Qeveria thotë se po përpiqet me këtë ligj t'i japë një zgjidhje realiste e përfundimtare çështjes së pronave, e cila nuk u zgjidh për shumë vite dhe po pengon zhvillin e ekonomisë.

Vendimi i shoqatës Pronësi me Drejtësi për të ankimuar përsëri ligjin e trajtimit të pronave erdhi vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë mbi ligjin e pronave, ku pronarët shpresonin që ligji do të rrëzohej krejtësisht, por sipas tyre, çështja e pronave ka hyrë në një rreth vicioz dhe qeveritë vetëm ia pasojnë njëra tjetrës pa i dhënë asnjëherë zgjidhje.

Avokatja e shoqatës pronësi me drejtësi, Suela Mëneri, tha se gjykata kushtetuese as me këtë vendim nuk i dha fund tranzicionit të zgjatur mbi çështjen e pronave dhe se ligji as vendimi i gjykatës nuk e zgjidh këtë çështje të kushtueshme dhe të ngatërruar qëllimisht për mbi 25 vjet.

Pronarët pohojnë se me pronat e pronarëve vazhdojnë abuzimet dhe grabitjet përmes legalizimeve. Sekretari i shoqatës pronësi me drejtësi Tanush Mulleti, thotë se qysh nga themeluesi i kësaj organizate Rrapo Danushi në fillim të viteve 90 e deri sot pronarët kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme për një të drejtë themelore e fillestare, e cila po u mohohet vazhdimisht nga të gjitha qeveritë.

Pronarët janë të shqetësuar për faktin se jo vetëm nuk po marrin pronat prej shumë vitesh, por fatura financiare e kësaj çështjeje është rritur jashtëzakonisht, sepse pothuaj të gjithë pronarët që ankohen në gjykatën e Strasburgut, po e fitojnë atje të drejtën e tyre.

Ndërsa përfaqësues të qeverisë pohuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk pezullon punën e tyre për të zbatuar ligjin e ri të pronave.

Sipas tyre, qeveria po përpiqet me këtë ligj t'i japë një zgjidhje realiste e përfundimtare çështjes së pronave, e cila nuk u zgjidh për shumë vite dhe po pengon zhvillimin e ekonomisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG