Në Shqipëri protestës së studentëve në universitetet publike iu bashkuan së fundi edhe pedagogët e disa fakulteteve. Ata i kërkuan qeverisë që brenda një jave të pezullojë ligjin për arsimin e lartë dhe garantimin e autonomisë akademike me një ligj të ri.
Studentët e universiteteve publike nisën një protestë pa afat qysh nga ditët e para të muajit dhjetor, e cila ende vazhdon me bojkot dhe bllokim të mjediseve universitare. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana.
Pedagogët e Universitetit të Tiranës kërkuan pezullimin brenda një jave të ligjit aktual për arsimin e lartë dhe hartimin e një ligji të ri në një takim, ku përkrahën studentëve me 8 kërkesat e tyre, si një mundësi për të nxjerrë universitetin nga kriza. Ata vendosën kështu në takimin e asambleve dhe stafit akademik fakulteteve të Historisë dhe Filologjisë, Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, Drejtësisë, Ekonomisë dhe Gjuhëve të Huaja.
Pedagogët pohuan se vendimet e fundit të qeverisë dhe ligji i arsimit të lartë dëmtuan rëndë autonominë dhe kërkimin shkencor në universitete. Universiteti i Tiranës e kundërshtuar qysh në fillim, para 4 vjetësh projekt-ligjin e arsimit të lartë, sepse cënonte rëndë autonominë universitare dhe mbivendos kompetencat.
Pedagogët pohuan se 5 agjenci qeveritare i kanë hequr universitetit autonominë në kërkimin shkencor, në rekrutim, në përzgjedhjen e kurrikulave dhe programeve.
Pedagogët thanë se dy strukturat paralele të rektorit dhe administratorit krijuan mbivendosje të kompetencave dhe sollën krizën në universitet, duke zhdukur edhe autonominë financiare. Ata pohuan se vendimet qeveritare të dhjetorit u bënë me ngut pa pyetur asnjë grupim interesi dhe bien në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë dhe me Kushtetutën, sepse dëmtojnë autonominë universitare.
Pedagogët miratuan një listë me 5 kërkesa për mbarëvajtjen e jetës akademike, që ia drejtuan qeverisë, për të cilat presin përgjigje deri në 1 shkurt dhe një përfaqësi me 5 përfaqësues të tyre. Protesta e studentëve, bojkoti i mësimeve dhe ngujimi i tyre brenda mjediseve universitare vazhdon pjesërisht në disa fakultete, ndërsa autoritetet po zhvillojnë takime për të shpjeguar qëndrimet më të fundit të qeverisë.
Facebook Forum