Lidhje

Shqipëri: Identifikohen vrasësit e Shefit të Komisariatit të Shijakut


Policia ka identifikuar autorët, Ilir Xhakja dhe Ledio Krasniqi, për kapjen e të cilëve janë angazhuar edhe njësitë speciale

Në Shqipëri shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, mbeti i vrarë dje pasdite vonë gjatë një kontrolli të një mjeti të dyshuar.

Policia ka njoftuar se ka identifikuar autorët dhe ka angazhuar edhe njësitë e saj speciale për kapjen e tyre. Ata dyshohet të jenë Ilir Xhakja, i implikuar edhe në disa vrasje të tjera gjatë viteve të shkuara, si dhe nipi i tij.

Komisar Adem Tahiraj, 49 vjeç, kishte një eksperiencë të gjatë në strukturat e policisë, veçanërisht ato të luftës kundër krimit të organizuar. Prej 1 viti ai ishte emëruar me detyrën e shefit të Komisariatit të Shijakut. Sipas policisë, ai ka qenë dje i përfshirë në një operacion kontrolli për armëmbajtje pa leje kur është goditur me armë automatiku.

Komisar Tahiri ka mbetur i vrarë në vend, ndërsa e plagosur ka mbetur edhe një grua, e cila banonte pranë vendit ku ndodhi vrasja dhe që kishte dalë në portën e shtëpisë pasi kishte dëgjuar debate me zë të lartë në rrugë.

Forca të shumta policie si dhe njësi të forcave speciale u nisën menjëherë nga Tirana duke ushtruar kontrolle në të gjithë zonën dhe akset kryesore rrugore. Vetëm në mbrëmje vonë u shpërnda një variant i saktë zyrtar i ngjarjes duke njoftuar se janë identifikuar edhe autorët: Ilir Xhakja dhe Ledio Krasniqi, nipi i tij.

Xhakja, 38 vjeç ka një rekord ngjarjesh kriminale duke nisur që nga fillimi i viteve ’90. Në Shijak një lokalitet i vogël prane Durresit, i cili mori emër gjatë viteve ’90 për shkak të përfshirjes së një numri të konsiderueshëm të të rinjve në trafiqe ndërkombëtare të drogës, pjestarët e fisit Xhakja njihen si anëtarë të një klani që u bë i famshëm për shkak të një konflikti të përgjakshëm me familjen Maloku. Ilir Xhakja, sipas skedës së shpërndarë nga policia, dyshohet prej saj për një seri vrasjesh, por ai është dënuar vetëm në 1995 dhe 1996, një herë me një vit dhe më pas me 6 muaj burgim për kanosje me armë. Në vitet e mëpasshme ai do të përfshihet në vrasje të tjera, një pjesë të mbetura të pazbuluara dhe do të dënohej me 21 vjet burgim në mungesë, por pas arrestimit në 2007 ai do të merrte dënim vetëm për armëmbajtje pa leje.

Një histori e përsëritur në Drejtësinë shqiptare e cila shpesh liron me gjithfarë pretekstesh kriminelë, që rikthehen për të kryer vrasje të tjera.

Vrasja e komisarit Tahiraj vjen pas dy muajsh problematikë për rendin dhe sigurinë në Shqipëri gjatë së cilit janë regjistruar një seri vrasjesh në të katër anët e vendit. Një situatë e cila ka nxitur edhe polemika politike, por që sipas drejtuesve të Ministrisë së Brendshme nuk është shqetësuese.

Kryetari socialist Edi Rama reagoi në mbrëmje për vrasjen e komisarit të cilin ai tha se e kishte njohur dhe se ishte një “djalë zotni”, shkruan Rama në Twitter, duke vazhduar se “vrasja e Adem Tahirajt është një alarm buçitës për epërsinë që ka marrë krimi mbi shtetin, dhe pasigurinë e kudondodhur në të gjithë territorin e vendit”, shprehet kryetari socialist.

XS
SM
MD
LG