Lidhje

Ish-Presidenti Topi zyrtarizon kthimin në politikë


Në Shqipëri ish presidenti Bamir Topi zyrtarizoi sot rikthimin e tij në politikën aktive. Vetëm pak ditë pas përfundimit të mandatit të tij si kreu i Shtetit, zoti Topi zhvilloi një takim me themeluesit e Frymës së Re demokratike, duke shprehur se ky ishte hapi i parë drejt përfshirjes së tij në këtë forcë të re politike, e krijuar pak muaj më parë nga shkëputja e disa ish përfaqësuesve të lartë të partisë demokratike. Zoti Topi tha se Fryma e re synon të jetë një forcë politike e ndryshme nga partitë e vjetra shqiptare
Nuk është surprizë për askënd përfshirja e ish presidentit Bamir Topi me Frymën e Re demokratike. Që në lindje të saj ajo ishte pagëzuar nga opinioni si partia e zotit Topi, ndonëse ai gjithmonë kishte evituar të pranonte lidhjet me të. Megjithatë, vetëm pak orë pasi dorëzoi detyrën dhe doli nga selia e presidencës më 24 korrik, themeluesit e kësaj partie ishin miqtë me të cilët ai konsumoi darkën e parë.
Sot zoti Topi u takua me figurat kryesore të Frymës së re Demokratike, por jo në selinë e saj, ku sic paralajmëroi do të mund të jetë në fund të muajit: “E konsideroj si hapin e parë publik të procesit të zyrtarizimit të rikthimit në politikë. Do të jetë fundi i këtij muaji që do të realizojë hapin përfundimtar dhe jam i bindur që takimi tjetër do të bëhet në selinë e FRD”, tha zoti Topi
Për deputetin Gazmend Oketa, i cili po drejton këtë parti deri në thirrjen e Kuvendit të saj të parë, pjesmarrja e ish presidentit Topi është një vlerë e shtuar: “E njohëm me projektin tonë politik që synon të sjellë një politikë ndryshe në Shqipëri dhe të bëjë ato ndryshime të nevojshme që ëndrra europian e shqiptarëve të bëhet realitet. Sigurisht eksperienca e presidentit Topi si president i vendit dhe si një nga politikanët më të spikatur, do të jetë një vlerë e shtuar e mirëpritur në FRD”.
Fryma e re demokratike ka vetëm pak muaj jetë, gjatë së cilëve ka mbajtur një profil deri diku të ulët, duke u fokusuar te organizimi i brendshëm dhe ngritja e strukturave në rrethe. Ajo synon të sjellë një model të ri politik: “Do të jemi të kujdesshëm që vendimet të jenë pjesë e forumeve dhe jo individuale. Unë shkojë në sintoni me atë që ka thënë zoti Oketa. Aleanca do të jetë vetëm me qytetarin dhe jo me atë psikologji që është ndërtuar dhe me atë politikë të atyre që tashmë konsiderohen parti të vjetra”, u shpreh zoti Topi.
Historikisht partitë e reja nuk kanë mundur të gjejnë hapësira në një skenë të dominuar nga demokratët dhe socialistët. Prandaj, për këtë forcë por edhe për vetë zotin Topi,zgjedhjet e 2013 do të jenë një sfidë e vërtetë. Ato nuk janë larg. Sistemi aktual elektoral favorizon kryesisht koalicionet. Por kjo temë duket se per Frd, është ende delikate dhe anashkalohet me përgjigjen se aleanca do të jetë me qytetarët. Për të mbajtur një distancë nga dy forcat më të mëdha, ka shumë gjasa që Fryma e re demokratike të shohi mundësinë e bashkëpunimit me Aleancën Kuqezi, një tjetër formacion i ri, por mjaft aktiv.
XS
SM
MD
LG