Lidhje

SHBA kërkojnë falje për eksperimentet në Guatemalë në vitet 1946-1948


SHBA kërkojnë falje për eksperimentet në Guatemalë në vitet 1946-1948
SHBA kërkojnë falje për eksperimentet në Guatemalë në vitet 1946-1948

Presidenti i Guatemalës Alvaro Kolom e ka quajtur studimin e viteve 1940 të financuar nga Shtetet e Bashkuara dhe që infektoi qindra guatemalas me sëmundje të transmetueshme seksualisht, krim kundër njerëzimit.

Ai i bëri komentet dje, një ditë pasi Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton kërkoi falje për ato që ajo i quajti eksperimente të turpshme dhe joetike.

Presidenti amerikan Barak Obama i telefonoi presidentit të Guatemalës dje për t’i kërkuar falje për studimin e bërë publik kohët e fundit. Ky studim bën të ditur se që nga viti 1946 deri në vitin 1948 pacientë të spitalit të personave me të meta mendore dhe të burgosur të një burgu guatemalas u infektuan me gonorrea, sifilis dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme pa dijeninë apo lejen e tyre.

Drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë Fransis Kollin thotë se qëllimi i studimit ishte testimi i efikasitetit të penicilinës, që në atë kohë ishte trajtim i ri për sëmundjet e transmetueshme seksualisht.

Zyrtarët amerikanë kërkuan falje dje pas publikimit të një studimi që thoshte se të burgosur dhe pacientë me sëmundje mendore të një spitali në Guatemalë ishin infektuar qëllimisht me sifilis para 60 vjetësh nga shkencëtarë amerikanë.

Presidenti i Guatemalës Alvaro Kolom i dënoi eksperimentet si krim kundër njerëzimit.

“Sipas mendimit tim ky është krim kundër njerëzimit që ka ndodhur në atë kohë nga ato autoritete, dhe qeveria jonë ka të drejtën të paraqesë padi ligjore.”

Eksperimenti i financuar nga qeveria amerikane, i cili vazhdoi nga viti 1946 deri në vitin 1948, u zbulua nga një historian i mjekësisë në Kolegjin Uellsli.

Këto studimet ishin zhvilluar për të testuar nëse penicilina, që në atë kohë ishte gjë e re, mund të parandalonte infektimin me sëmundje seksualisht të transmetueshme.

Dy anëtarë të kabinetit të presidentit Obama i kërkuan falje qeverisë së Guatemalës për testimet, dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha dje se eksperimentet mjekësore ishin tronditëse, tragjike dhe të turpshme.

“Kjo është tragjike, dhe Shtetet e Bashkuara i kërkojnë falje të gjithë atyre që janë prekur nga këto eksperimente,” tha zëdhënësi Gibs.

Shkencëtari i qeverisë që udhëhoqi studimet në Guatemalë, ka qenë i përfshirë gjithashtu në eksperimentin famëkeq Taskëgi, ku nga viti 1932 deri në vitin 1972 shkencëtarët kishin mbajtur nën mbikqyrje 600 burra afrikano-amerikanë që kishin sifilis dhe nuk e dinin, pa u ofruar trajtim mjekësor.

Qeveria amerikane ka dhënë urdhër për zhvillimin e dy hetimeve të pavarura për të zbuluar çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Guatemalë dhe për t’u siguruar që rregullat bioetike janë në standartin e duhur.

XS
SM
MD
LG