Lidhje

SHBA-Iran shprehin interesim për rifillimin e bisedimeve


Zyrtarët amerikanë dhe ata iranianë shprehën sot interesimin për rifillimin e bisedimeve lidhur me programin bërthamor të Iranit. Sekretari amerikan i Energjisë Steven Chu dhe zëvendësi i tij thanë se Uashingtoni është kurdoherë i interesuar për ta riangazhuar Iranin në çështjen bërthamore, por duan të sigurohen që Teherani është i sinqertë për këto bisedime.

Nënsekretari i energjisë Daniel Poneman tha se është e rëndësishme që Irani të trajtojë çështje më të gjera në bisedimet bërthamore me vendet e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermaninë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se Teherani është i gatshëm për dialog, por shpreson që Grupi 5+1 do të ndjekë rrugën e duhur në bisedime dhe do të njohë të drejtën e Iranit për lëndë bërthamore.

Ai i bëri komentet sot në një konferencë shtypi. Presidenti Obama pritet ta shfrytëzojë fjalimin e tij të enjten në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për t’i theksuar Iranit se kosto e programit të vet për pasurimin e uraniumit do të shkallëzohet më tej, në se Teherani nuk plotëson detyrimet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG