Lidhje

Problemet në eksportimin e mallrave nga Kosova në Serbi dhe Bosnje


Problemet në eksportimin e mallrave nga Kosova në Serbi dhe Bosnje
Problemet në eksportimin e mallrave nga Kosova në Serbi dhe Bosnje

Ekspertë të ekonomisë në Kosovë vlerësojnë se qeveria duhet të marrë sa më shpejt një vendim ndaj bllokadës që dy vendet fqinje, Serbia dhe Bosnja, u kanë vënë prodhimeve që mbajnë vulën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Komitetit të Përbashkët të vendeve nënshkruese të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA, që të debatojë lidhur me pengesat e eksportit të mallrave të Kosovës për në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë. Kjo kërkesë ka pasuar vendimin e autoriteteve serbe për të mos lejuar kalimin e mallrave të prodhuesve të Kosovës nëpër Serbi e as importimin e tyre në tregun serb. Bosnja po ashtu ka vënë kushte, që sipas afaristëve të Kosovës, po e dëmtojnë mjaft ekonominë e vendit.

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, thotë se mosfunksionimi i marrëveshjes për tregti të lirë, po i shkakton Kosovës dëme të natyrës politike dhe ekonomike.

“Në qoftë se mendohet për ato ekonomike atëherë është e pamundur që produktet kosovare të depërtojnë në tregje të ndryshme. Vetë fakti që ka ndalesa totale për çdo gjë që është “Made in Kosova”, tregon më së miri faktin se me çfarë vështirësish po ballafaqohet ekonomia kosovare. Por ajo që është më shqetësuese, deri sa Kosova nuk ekziston apo është e bllokuar në çdo aspekt nga Bosnja dhe nga Serbia, produktet serbe depërtojnë në Kosovë pa kurrfarë problemi. Një vend i varfër si Kosova me një ekonomi të brishtë të dalë nga lufta, është ajo e cila e stimulon zhvillimin ekonomik të Serbisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe kuptohet stabilitetin dhe mirëqenien sociale. Është koha të bëhet më tepër në këtë drejtim sepse nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, Kosova duhet ta marrë kryesinë e radhës në Sekretariatin e CEFTA-s dhe në qoftë se nuk do ta gjejmë një zgjidhje pragmatike, alternativa e vetme mbetet që këtë mision të Kosovës ta kryejë Shqipëria, në mënyrë që Kosova të përgatitet për një të ardhme të afërt të jetë udhëheqëse e një Sekretariati të tillë me një rëndësi vërtet të veçantë”, tha ai.

Zoti Gërxhaliu sheh tri rrugë për zgjidhjen e problemit me vendet fqinje.

“E para që të bisedohet në mënyrë shumë më të shquar dhe më profesionale qoftë me Komisionin Evropian apo me Sekretariatin e CEFTA-. E dyta të mendohet për të ashtuquajturën “Soft format” e një reciprociteti me Serbinë që vërtet aq sa importohet po aq edhe të eksportohet dhe në qoftë se ato përdorin masa për të mbrojtur produktet vendore të njëjtat t’i përdorë edhe Kosova, e treta duhet të mendohet fare mirë a ia vlen që Kosova të jetë vetëm dekor i kësaj marrëveshje dhe nga kjo marrëveshje të tjerët të përfitojnë e Kosova të jetë ajo që humb nga dita në ditë më tepër”, tha zoti Gërxhaliu.

Deri në fillim të muajit dhjetor të vitit 2008, mallrat e Kosovës janë eksportuar në Bosnjë e Serbi pa ndonjë problem, meqë ato kishin vulat e Misionit të Kombeve të Bashkuara. Por, problemet dolën në shesh pas kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut tek institucionet e vendit. Bosnja nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës e cila kundërshtohet ashpër nga Beogradi zyrtar. Pavarësinë e Kosovës deri tash e kanë njohur 70 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG