Lidhje

Kosovë: Presidenti Sejdiu jep dorëheqjen


Kosovë: Presidenti Sejdiu jep dorëheqjen
Kosovë: Presidenti Sejdiu jep dorëheqjen

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shpalli dorëheqjen nga posti i presidentit.

Dorëheqja e tij pasoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila vlerësoi se ai e ka shkelur seriozisht Kushtetutën, duke mbajtur dy poste, atë të presidentit të Kosovës dhe të kryetarit të partisë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sejdiu e bëri publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference me gazetarë në orët e pasdites.

“Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur. Unë tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë. Për t’u dhënë me besim dhe devotshmëri pas këtij përcaktimi jetësor e profesional, gjithherë kam pasur udhërrëfyes dhe mbështetje të fuqishme traditën time familjare dhe të popullit tim, si dhe të miqve të Kosovës. Edhe ky akt imi i sotëm rikonfirmon përkushtimin tim për të treguar këtë respekt ndaj institucioneve dhe vendimeve që marrin ato”.

Presidenti Sejdiu tha se ka qenë i bindur që nuk e ka shkelur Kushtetutën e vendit, duke qenë i përfshirë në procesin e hartimit të saj.

Pikërisht për shkak të kësaj përvoje, debateve dhe vendimeve që janë marrë gjatë atij procesi, përkrahjes e konsultimeve të vazhdueshme, si dhe marrëveshjes me forcat politike në vend dhe me faktorin ndërkombëtar, unë kam besuar se mbajtja e postit të Kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion, siç e përcakton Kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj Kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe, dhe unë e respektoj këtë vendim, pavarësisht faktit se ende nuk më është dorëzuar aktgjykimi i Gjykatës me arsyetim”.

Presidenti Sejdiu e kishte shpallur “të ngrirë”, postin e kryetarit të partisë, ndërsa shqyrtimi i kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese pasoi kërkesën e paraqitur nga një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së mbajtjes së posteve të dyfishta nga presidenti.

Zoti Fatmir Sejdiu, u vu në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2006 pas vdekjes së udhëheqësit të saj, Ibrahim Rugova, ndërsa vazhdoi që njëkohësisht të kryente edhe funksionin e presidentit të vendit. Vendimi i gjykatës vjen në kohën kur ka filluar fushata për zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Me dorëheqjen e sotme presidenti shkrin funksionin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Jakup Krasniqi – Ushtrues i detyrës së presidentit

Në bazë të Kushtetutës, është kryetari i Parlamentit ai që merr postin e të parit të vendit në një periudhë jo më shumë se gjashtë muaj dhe ndërkohë partitë politike duhet të merren vesh për presidentin e ri, ose në rast të mosmarrëveshjes, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha sot se nuk ka krizë institucionale dhe se zhvillimet aktuale janë të parashikuara në kushtetutë dhe do të zgjidhen në bazë të saj.

Më këtë rast i garantoj qytetarët e Kosovës, partitë politike, institucionet dhe shoqërinë civile se nuk do të këtë vakum institucional dhe se çdo veprim i yni do të bëhet konform Kushtetutës dhe në interes të vendit. I garantoj qytetarët e Kosovës se në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës do të ketë proces normal e kushtetues. Shumë shpejt do t’i ftoj në një takim subjektet politike të Kosovës, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të veprimit. Këto veprime do të janë në shërbim të vendit dhe të qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Krasniqi.

Sidoqoftë gjithçka varet nga partnerët e koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nëse ato vendosin të ruajnë formën aktuale të qeverisjes në vend.

LDK mbështet veprimin e presidentit Sejdiu

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka cilësuar siç thuhet akt të lart moral dorëheqjen e Presidentit Sejdiu. Ajo vlerëson se dorëheqja e Presidentit Sejdiu është një akt i sakrificës së tij për interesat madhore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, përkrahjen e të cilëve ai e pati gjithmonë. Duke e vlerësuar lartë punën e presidentit në proceset para dhe pas pavarësisë së Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës nënvizon se megjithëse Presidenti Sejdiu ka marrë vetëm një njoftim nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo aktgjykimin e saj, siç do të duhej, ai ka dhënë dorëheqje duke dëshmuar edhe një herë dhe shumë fuqishëm devotshmërinë e tij të madhe për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e tij euroatlantike.

Në një komunikatë për opinion thuhet se kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e mirëpret dhe e mbështet fuqishëm riaktivizimin e Dr. Fatmir Sejdiut në krye të partisë dhe shpreh bindjen se nën udhëheqjen e tij LDK-ja do të rikthehet si partia numër një në skenën politike të Kosovës.

Faith: Shpresojmë në periudhë të lehtë kalimtare

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, e ka mirëpritur vendimin e presidentit Sejdiu, duke e cilësuar atë një udhëheqës kyç në një kohë historike për Kosovën. Njëkohësisht zoti Faith, u ka bërë thirrje përfaqësuesve politik që siç thuhet, të tregojnë aftësi të udhëheqjes në interes shtetëror dhe të sigurojnë një periudhë të lehtë kalimtare. Ai ka shprehur bindjen se sistemi politik i Kosovës është i aftë për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë institucionale.

XS
SM
MD
LG