Lidhje

Qyteti i lindjes së Ronald Reganit feston 100 vjetorin e tij


Qyteti i lindjes së Ronald Reganit feston 100 vjetorin e tij
Qyteti i lindjes së Ronald Reganit feston 100 vjetorin e tij

Ronald Regani kujtohet nga amerikanët qoftë si aktor hollivudi, apo si president që la vulën e tij në historinë e Amerikës. Por në Dixon të Ilinoit, Ronald Regani kujtohet si bir i këtij qyteti që ka shpëtuar jetën e 77 vetëve. Tani ky qytet po nderon Reganin në 100 vjetorin e lindjes me festime që do të zgjasin gjatë gjithë vitit.

Nëntëdhjetë e pesë vjeçarja Gertrudë Çajlders thuajse vdiq kur ishte 15 vjeçe. Ajo po notonte në lumin Rock pranë Diksonit në Ilinoi, një ditë vere në vitin 1931, por nuk e vuri re një njeri që kishte hipur në rrëshqitësen pranë ujit dhe do të zhytej në atë moment:

“Lëvizjet tona përkuan në mënyrë perfekte. Ai po i afrohej ujit, unë u largova që t’i hapja rrugë, por ai ra mbi mua dhe unë humba ndjenjat”.

Ajo do të ishte mbytur nga ky incident, po të mos ishte në detyrë një roje në breg të lumit që të gjithë e njihnin me nofkën “Dutch”. Ai e nxori vajzën nga uji:

“Të gjithë e njihnim Dutch-in. Ai ishte gjithmonë pranë lumit”.

Megjithëse i riu me nofkën Dutch, që të tjerët e njihnin si Ronald Regan, u bë më pas aktor filmash dhe në vitet në vazhdim guvernator i Kalifornisë dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, fqinja i tij në Dikson, Helen Lawton e kishte të vështirë ta thërriste “guvernator” apo “president”:

“Për ne ai mbeti “Dutch” Regan”.

Qyteti Dikson me 16 mijë banorë ka mbetur pak a shumë i njëjti komunitet i vogël, ku u rrit Regani. Por tani këtë qytet e njeh edhe bota:

“Regani ka qenë një simbol me vlerë për promovimin e qytetit,” thotë Kryetari i Bashkisë së qytetit Xhim Bërk, i cili është në kahun e kundërt politik me Reganin.

Popullariteti i Reganit e ka ndihmuar shumë qytetin Dikson, duke sjellë turistë nga e gjithë bota, të cilët duan të vizitojnë vendin që formoi karakterin e një njeriu që u bë president:

“Ai i ruajti gjithmonë rrënjët e tij. Pikërisht këtë nderojmë në këtë qytet – faktin që ai u bë shumë i suksesshëm, por mbeti një njeri i thjeshtë”.

Fillimet e tij modeste shihen në shtëpinë e thjeshtë ku Regani kaloi fëmijërinë. Kjo shtëpi, tashmë e renovuar plotësisht, është monument historik dhe objekti më me interes për turistët në këtë zonë.

“Gjatë viteve që kur e hapëm si muze kemi pasur nga 15 mijë deri në 30 mijë vizitorë. Në vitin kur vdiq zoti Regan, numri i vizitorëve u rrit shumë”.

An Luis është kryetare e Komisionit për Festimin e 100 vjetorit të Reganit. Ajo parashikon një numër rekord vizitorësh në qytet këtë vit, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Reganit. Festimet filluan me bujë të madhe:

Në teatrin historik të qytetit, ku Regani shihte filma në fëmijëri, që më pas e frymëzuan të bëhej aktor, janë mbledhur muzikantë nga i gjithë vendi për të nderuar djaloshin me nofkën “Dutch”.

“Është më tepër një himn për optimizmin e tij, për karakterin e tij, për të gjitha bindjet e tij”.

Profesori i muzikës David Holsinger thotë se ishte me vend që qyteti Dikson të organizonte premierën e kompozimit të tij me titull “Regani i Ilinoit”.

“Është një përjetim i veçantë të vish në një vend të tillë. Ndjen diçka të veçantë, jo thjesht nga njerëzit, ndërtesat apo objektet historike, por edhe në atmosferën e përgjithshme”.

Tani në Dikson vëmendje po u kushtohet statujave dhe përmendoreve që nderojnë presidentin e 40 të Shteteve të Bashkuara, por organizatorët e këtë viti përkujtimor thonë se ideja është të nderohet thelbi i këtij njeriu, që për shumë veta këtu në Dikson nuk kujtohet aq si aktori bukurosh i Hollivudit, si presidenti i Shteteve të Bashkuara, apo si udhëheqësi që punoi për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë, por si një i ri me flokë të çelura, që i shpëtoi jetën Gertrud Çajldërs dhe 76 të tjerëve, në atë kohë kur njihej me nofkën “Dutch”.

XS
SM
MD
LG