22 vjeçari nga Arizona i cili akuzohet për sulmin ndaj 20 personave ndërkohë që u përpoq ta vriste anëtaren e kongresit amerikan dje për herë të parë doli para gjykatës federale për t’u përballur me akuzat kundër tij.
Jared Loughner ishte në pranga ndërkohë që ai hyri në një gjykatë në Finiks nën masa të larta sigurie. Me kokë të rruar dhe uniformën e të burgosurit, ai i tha gjykatës se i kuptonte të drejtat e tij.
Dalja e tij para gjykatës ndodh dy ditë pas sulmit në Tusan ku u vranë gjashtë persona dhe u plagos rëndë anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve nga Arizona, Gabrielle Giffords. Në këtë sulm u plagosën trembëdhjetë persona tjerë.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti Barak Obama do të udhëtoj në Arizona të mërkuren për të marrë pjesë në një shërbim përkujtimor për viktimat e këtij sulmi. Ai pritet të takohet me familjet e atyre që janë vrarë dhe plagosur në këtë sulm.
Më herët presidenti Obama ka thënë se vendi është ende i pikëlluar dhe i tronditur nga sulmi në Tusan. Ai foli në Shtëpinë e Bardhë disa orë pasi udhëhoqi vendin në një moment heshtjeje për viktimat e sulmit në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara.
Doktorët që po kujdesen për anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve Gabriele Gifords thonë se janë pak më optimistë për gjendjen e saj. Doktorët thanë se enjtja e trurit të 40-vjeçares Gifords nuk ka vazhduar, megjithëse ajo nuk është ende tërësisht jashtë rrezikut.