Lidhje

Përkujtohen aktet e shqiptarëve që shpëtuan hebrej


Përse shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore? Kjo pyetje ishte në mendjen e qindra njerëzve që morën pjesë të dielën mbrëma në një veprimtari të organizuar në Nju Jork për të përkujtuar këtë rol të veçantë të shqiptarëve. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në Manhattan dhe përgatiti këtë material.

Studiuesit e kësaj pjese interesante të historisë shqiptare thonë se shpëtimi i hebrejve në Shqipëri dhe Kosovë gjatë luftës ende nuk është i njohur sa duhet në botë. Ish kongresmeni Joe DioGuardi dhe këshilltarja për çështjet e Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi, organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti mblodhën një numër personalitetesh hebraike, mes tyre biznesmenë, filantropë, anëtarë të Kongresit dhe studiues, për të folur mbi këtë aspekt të shqiptarëve.

Draft Entry
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:06:17 0:00

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Jerold Nadler, tha se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë ku pati më shumë hebrej pas Luftës se sa para saj: Jerold Nadler, Anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve “Këto veprime shpëtimtare ishin me rrezik të madh për jetën e tyre, të familjeve dhe të fqinjëve të tyre. Si rrjedhojë, më shumë se 2,400 hebrej shkuan për të shpëtuar në Shqipëri nga vendet e Evropës Perëndimore dhe të ish Jugosllavisë gjatë Luftës. Kjo është vërtet e jashtëzakonshme, sepse në vitin 1938, në Shqipëri jetonin vetëm 300 hebrej,” tha kongresmeni Nadler.

Përse shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrejtë? Arësyeja, thanë disa folës, duhet kërkuar tek toleranca fetare dhe etnike, e cila qëndron në themel të vlerave shqiptare.

Ronald Rettner, President i Korporatës Rettner Management dhe filantrop, tha se gjatë sundimit 500 vjeçar osman, myslimanët, katolikët dhe hebrejtë në Shqipëri jetuan krahas njëri-tjetrit, duke toleruar pikëpamjet dhe praktikat fetare të njëri-tjetrit: “Shembulli shqiptar është në kontrast të thellë me gjakderdhjen mes të krishterëve dhe myslimanëve në vende si Libani, Egjipti dhe Siria,” tha zoti Rettner.

Shirley Cloyes Dioguardi thotë se shpëtimi i hebrejve në Shqipëri ndodhi ndërkohë që shumica e vendeve të tjera i kthyen shpinën shfarosje së hebrejve në Evropë.

Toleranca, vetsakrifica që ata demonstruan, thotë ajo, janë elementë që duhet të integrohen në të gjitha nivelet e arsimit kudo në botë. Lekë Rezniqi, gazetar nga Kosova, tregoi se si stërgjyshi i tij, tregtari Arsllan Rezniqi shpëtoi hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Arsllani bashkëpunonte me tregtarët hebrej në Ballkan dhe ndihmoi për t'i sjellë ata nga Maqedonia në Kosovë dhe për t'i kaluar pastaj në Shqipëri. "Është me shumë rëndësi që të tregohet se edhe në Kosovë duhet të tregohet se janë mbrojtur hebrejtë, sepse kanë qenë pikërisht shqiptarët e Kosovës ata që kanë mundësuar kalimin e sigurtë të hebrejve për në Shqipëri. Në atë kohë, mundësitë për të arritur në Shqipëri kanë qenë shumë të pakta. Kalimi i hebrejve është organizuar në bashkëpunim me shqiptarët si brenda edhe jashtë Shqipërisë."

Agim Aliçkaj nga Deçani i Kosovës, e tregon me emocion historinë e të atit, Arif Aliçkaj, i cili duke përfituar nga pozita në komunën e Deçanit, shpëtoi hebrenj gjatë pushtimit nazist: “Ai e shfrytëzoi situatën dhe kur Arsllan Rezniqi i kërkoi t’i lëshojë dokumente fallso për hebrejtë që ishin duke ikur nga Maqedonia, Serbis dhe vende të tjera, ai nuk ka hezituar fare. Sepse ne shqiptarët e kemi zemrën e madhe, shqiptarët nuk frigohen për të bërë punë të mira dhe për të ndihmuar të tjerët.”

Felicita Jakoel, e cila kryeson Shoqatën e Miqësisë Izrael-Shqipëri, ka ardhur nga Tel-Avivi, ku ajo banon, për të treguar historinë prekëse të familjes së saj, e cila i shpëtoi holokaustit duke u strehuar në Shqipëri.

Zonja Jakoel i mbijetoi komunizmit dhe u bë nismëtarja për largimit e hebrenjve shqiptarë drejt Izraelit mes viteve 1991 dhe 1997. “Historia e shpëtimit të izraelitëve në Shqipëri filloi të bëhet e ditur vetëm pas viteve 90, sepse deri në vitin 1991 nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Deri më sot, janë njohur nga Izraeli në mënyrë zyrtare 69 shqiptarë që kanë shpëtuar izraelitë. Ky është një numër shumë i madh duke patur parasysh që 50 vjet kanë qenë një ngrirje totale ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë.”

Përfaqësuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha foli për mesazhin që shqiptarët i dhanë botës përmes shpëtimit të hebrejve. "Është një nga ato ngjarje që i bën shqiptarët krenarë, shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe kudo që jetojnë, sepse është një ngjarje që është zhvilluar në kohërat më të errëta të Luftës së Dytë Botëror. Nuk ka asgjë të trishtuar, sepse është një histori shpëtimi, një histori dhëmbshurie, një histori solidariteti, një histori e vërtetë për shpëtimin e jetëve njerëzore. Mesazhi është i thjeshtë: shqiptarët japin fjalën dhe mbajnë fjalën."

Ish kongresmeni Joe DioGuardi me organizatën e tij Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qenë ndër nismëtarët kryesorë për të sensibilizuar Kongresin dhe opinionin amerikan rreth shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët. Ai tregoi me anë të filmimeve se si ra në kontakt me historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrej dhe se si pastaj, në vitin 1995, së bashku me gruan e tij Shirley, ndihmuan që këto histori të bëheshin pjesë e Muzeut Kombëtar të Holokaustit në Uashington.
XS
SM
MD
LG