Lidhje

Një grup të moshuarish tërheq vemendjen e shkencëtarëve


Shkencëtarët i studiojnë ata për të luftuar Alzheimerin

Një grup i rrallë i jetëgjatësh, burra e gra mbi të tetëdhjetave me tru dhe kujtesë të mprehtë, po ndihmon studiuesit në SHBA në luftën kundër demencës dhe Alzheimerit. Shkencëtarët përpiqen të gjejnë tek ky grup mënyra për të ndihmuar e mbrojtur të tjerët nga humbja e kujtesës.


Edith Stern është një 92-vjeçare pensioniste e cila mund të ketë çelësin e plakjes së shëndetshme. Ajo është mjaft aktive në këtë shtëpi pleqsh në Chicago dhe gjallëria e saj nuk vjen detyrimisht nga forca e trupit - por fuqia e mendjes.

"Unë mund të dukem e moshuar, por përbrenda nuk jam plakë," thotë Stern dhe sytë i shkëlqejnë. Ajo e di se është pak ndryshe nga të tjerët. Disa neuroshkencëtarë në Universitetin Northwestern janë dakord. Ata thonë se Edith ka trurin e një personi 50 ose 60-vjeçar, duke vënë atë në një grup elitë të quajtur 'super të moshuar'.

Emily Rogalski, neuroshkencëtare, udhëheq studimin për shqyrtimin e super të moshuarve. Ajo dhe ekipi i saj janë në kërkim të mënyrave për të parandaluar demencën, madje edhe Alzheimerin. Imazhet e skanuara tregojnë se këta të moshuar kanë më pak shenja plakjeje në trurin e tyre, dhe gjithashtu kanë më shumë masë në zonat e trurit që përdoren për kujtesën dhe vëmendje. Por jo të gjithë mund t'i përkasin këtij grupi super moshe. Për t'u kualifikuar personi i moshuar duhet të kalojë një seri provimesh mendore.

"Ne kemi shqyrtuar më shumë se 400 njerëz, dhe vetëm rreth 35 prej tyre janë pranuar për këtë studim, kështu që me të vërtetë këta përfaqësojnë një pjesë të rrallë të popullsisë", thotë Dr. Rogalski. Përveç kujtesës së mprehtë, studiuesit thonë se këta super të moshuar kanë më shumë energji se sa moshatarët e tyre, dhe ndajnë një mendim pozitiv për jetën. Është ende e paqartë nëse këta faktorë të ndihmojnë me kujtesën.

"Unë e di se kujtesa ime është më e mirë se shumica e njerëzve të moshës time. Unë nuk jam i sigurt pse ndodh kështu; është kjo gjenetike? Mendoj se edhe studiuesit nuk e kanë të qartë ", thotë Don Tenbrunsel, 85-vjeçar biznesmen në pension, pjesmarrës vullnetar në studim. Ai është i gëzuar, aktiv dhe e kalon kohën duke punuar në një dyqan ushqimor.

Ai dhe vullnetarët të tjerë në studim,i nënshtrohen më shumë skanimeve dhe analizave mjekësore dhe përfundimisht të dhurojnë trurin e tyre, pas vdekjes. Disa kishin probleme me Alzheimer ose demencë para se të vdisnin, dhe të tjerët jo, autopsia mund të sqarojë shumë gjëra, thotë neurshkencëtarja Emily Rogalski.

"Ne jemi duke jetuar më gjatë, por jo domosdoshmërisht më mirë, kështu qëshpresojmë se nga studimi mund të zbulohen faktorë për të ndihmuar njerëzit të jetojnë më gjatë dhe më mirë ", thotë shkencëtarja Rogalski.

XS
SM
MD
LG