Lidhje

Krijohet Aleanca e Grave Keshilltare


Këshilltaret gra e vajza në këshillin bashkiak të Tiranës krijuan sot Aleancën e Grave Këshilltare, në përpjekje për të ndikuar së bashku në forcimin e politikave në dobi të grave në nevojë.

Ato u bashkuan pavarësisht përkatësive partiake për të mbrojtur gratë e kryeqytetit dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Aleanca ndoqi kështu modelin e Aleancës së Grave Deputete, për të forcuar angazhimin e grave në institucionet vendim-marrëse.

Këshilli bashkiak i Tiranës ka për herë të parë si anëtare mbi 50% gra dhe vajza.

Aleanca e tyre beson se me këtë përfaqësim të lartë ato mund të përmirësojnë cilësinë e jetës së grave dhe vajzave të kryeqytetit, duke hartuar politika në dobi të tyre.

Aleanca përbëhet nga këshilltare të PS-së, PD-së, FRD-së, LSI-së, PDIU-së.

Zëvendës - kryetar i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Robert Uilton, tha në ceremoninë përuruese se pjesëmarrja e grave shqiptare në institucionet vendimmarrëse në qeverisjen qendrore dhe atë vendore është thelbësore për të ndihmuar brezin e ardhshëm të grave.

“Bashkëpunimi që kanë nisur gratë e këshillit bashkiak të Tiranës, duke shkuar përtej kufijve të partive politike, është jashtëzakonisht pozitive. Aleanca e Grave Deputete nxiti me sukses miratimin e një prej kuotave gjinore më të larta në Europë në parlament dhe në pushtetin vendor” - theksoi zoti Uilton.

Nga zgjedhjet vendore të qershorit të kaluar Shqipëria zgjodhi më shumë se 550 gra këshilltare, ose rreth 23% më shumë sesa në mandatin e kaluar.

Ato po tregojnë në pak muaj aftësitë e tyre si politikane dhe administratore.

“Aleanca e Grave Këshilltare mund të ndikojë pozitivisht në vendimmarrjen e bashkisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, për fuqizimin e grave të tjera dhe grupet e cenueshme. OSBE trajnoi më shumë se 200 këshilltare të zgjedhura dhe pret të bashkëpunojë më tej për të rritur më tej ndikimin e tyre në institucionet vendim-marrëse” - tha zoti Uilton.

XS
SM
MD
LG