Lidhje

Jeta për pacientët me alcaimer dhe familjet e tyre


Alcaimeri është një sëmundje progressive që godet qelizat nervore të trurit, duke çuar në humbjen e kujtesës dhe aftësisë për të menduar, komunikuar dhe kryer aktivitetet e përditshme. Përllogaritet se 5.4 milion amerikanë vuajnë nga kjo sëmundje. Pjesëtarët e familjes, që kujdesen për të dashurit e tyre shpesh quhen viktima të heshtura. Për të ndihmuar në lehtësimin e barrës së përditshme të kujdesit për të afërmit apo miqtë me këtë sëmundje, një numër në rritje qendrash të specializuara në Shtetet e Bashkuara ofrojnë kujdes për pacientët me alcaimer.

Howard Simmons ka gjetur gjithnjë kënaqësi kur vallzon me të shoqen dhe këtë ai e vazhdon edhe sot edhe nëse ajo nuk mban mënd.
Para 6 vjetësh ajo u diagnostikua me alcaimer.
Tani ajo e kalon ditën në qendrën e kujdesit familiar të alcaimerit bashkë me 35 persona të tjerë me këtë sëmundje.
Personeli i inkurajon këta burra e gra që të jenë sa më aktive fizikisht dhe mentalisht.

“Ne organizojmë shumë lojra që vënë në lëvizje trurin".

Lisa Wright menaxhon qendrën. Terapia e artit ofron mundësinë e shprehjes.

Qendra ofron ushqime me vlera të mira dhe shërbime të tjera.

“Ne kemi një terapist fizik që vjen këtu dy ditë në javë”.

Prania e personelit të kualifikuar, që angazhohet me të sëmurët me alcaimer u bën të mundur të dashurve të tyre, si Galeet BenZion, që të kenë kohë për angazhime të tjera.
Ajo është mësuese, studiuese pedagogjie dhe nënë e dy vajzave në shkollë fillore.
Kur burri i BenZion u diagnostikua me një formë të hershme të alcaimerit, ajo u bë në fakt prindi i vetëm i dy vajzave të tyre.

“Nuk e njihja fare këtë sëmundje. Nuk isha aspak e përgatitur që të mbetesha vetëm në moshën 45 vjeçare, pra duke u kujdesur për fëmijët dhe shtëpinë për çdo gjë që kërkohet në jetë”.

Qendra jep një farë mbështetje për familiarët që kujdesen për të sëmurët.

“Ne kemi grupe suportimi që kalojnë një farë kohe me kujdestarët. Ne kemi gjithashtu një program edukimi dhe mbështetjeje. Nëse kujdestarët kanë ndonjë problem personal, anëtarë të personelit tonë u bëjnë atyre një vizitë në shtëpi”.

Linda Roberts thotë se fakti që nëna e saj është në një vend të sigurtë i jep asaj pushimin për të cilin ajo ka nevojë.

“Është tepër stresuese që të kujdesesh gjatë gjithë kohës për një të sëmurë me alcaimer. Është diçka që duhet menduar mire. Unë nuk e bëra këtë. Kujdesja për një të sëmurë me alcaimer është njësoj sikur të bësh dy punë”.

Howard Simmons është dakord me këtë vlerësim.

“Qëndrimi i gruas time në këtë qendër gjatë ditës më krijon mundësi që të kem pak kohë për vete”.

Madje atij i pëlqen që e shoqja është e angazhuar në aktivitete të ndryshme.

“Nuk mund të them se ajo po përmirësohet, por ajo preokupohet me diçka, që i pëlqen”.

Dhe kjo e bën këtë qendër kujdesi gjatë ditës një vend të veçantë për pacientët me alcaimer dhe familjet e tyre.
XS
SM
MD
LG