Lidhje

Wolfarth, i shqetësuar për zvarritjet e procesit të Gërdecit

Wolfarth, i shqetësuar për zvarritjet e procesit të Gërdecit
Wolfarth, i shqetësuar për zvarritjet e procesit të Gërdecit

Në Shqipëri, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth u shpreh sot i shqetësuar për zvarritjet e procesit të Gërdecit, të cilat sipas tij cënojnë imazhin e sistemit të Drejtësisë.

Në një deklaratë të shpërndarë sot, ambasadori Wollfarth shprehet se “procesi duket se nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë dhe në ligjet e vendit. Mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të çdo sistemi drejtësie”, thekson ambasadori i OSBE-së.

Ai shton se tre vjet pas tragjedisë së Gërdecit dhe megjithë përpjekjet e konsiderueshme që ka bërë trupi gjykues për të planifikuar seanca çdo dy ditë, procesi duket se është shumë larg finalizimit dhe shumica e seancave nuk janë zhvilluar”, shprehet ambasadori Wollfarth.

“Vonesat e vazhdueshme – shton ai – nuk bëjnë gjë tjetër veçse e cënojnë besimin aq shumë të nevojshëm te sistemi i drejtësisë dhe më gjerësisht të shteti i së drejtës në Shqipëri, veçanërisht në këtë çështje kaq delikate”, nënvizon ambasadori duke i bërë thirrje “autoriteteve të Drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme, brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje brenda një periudhe të arsyeshme kohore”.

Deri më tani janë zhvilluar 152 seanca dhe zvarritjet e procesit të Gërdecit bënë që katër muaj më parë të liroheshin nga burgu edhe tre të pandehurit kryesor të çështjes. Ministri i atëhershëm i Drejtësisë Bujar Nishani por edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë u angazhuan për të kryer inspektime si dhe për të ndërhyrë në ligjin për avokatinë për të shmangur vonesat në proceset gjyqësore.

This item is part of

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG