Lidhje

Shqipëri, KQZ bën gati komisionet zgjedhore


Në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të regjistrojë partitë politike për zgjedhjet e 18 qershorit. Partia Demokratike dhe 4 parti të tjera opozitare tërhoqën regjistrimet për komisionerë dhe kandidatë zgjedhorë.

Por kryetari i KQZ-së, Denar Biba, thotë se komisionet po plotësohen me qytetarë të thjeshtë, dhe se zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen sipas ligjit.

Mosregjistrimi i partive të opozitës si garuese në zgjedhjet e 18 qershorit ka sjellë për KQZ një anomali për ngritjen e komisioneve zgjedhore, e cila është e parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Kryetari i KQZ, Denar Biba, thotë se PD dhe PR nuk kanë sjellë listat me komisionerë sipas ligjit, dhe nuk janë të gatshme të angazhohen në procesin zgjedhor derisa të arrihet një marrëveshje politike mes maxhorancës dhe opozitës.

Por këto marrëveshje politike, thotë ai, nuk janë pjesë e punës së KQZ-së, si zbatues i kodit zgjedhor.

Ky rregullim ligjor është bërë në vitin 2012 nga frika se socialistët atëherë në opozitë mund të tërhiqnin komisionerët e tyre nga zgjedhjet e 2013.

Ligji parashikon edhe rastin kur komisionerët demokratë dhe republikanë mund të paraqiten me vonesë në procesin zgjedhor.

Deri tani në garën zgjedhore janë regjistruar 18 parti politike dhe kanë sjellë kërkesën për regjistrim edhe 7 parti të tjera.

Por 5 parti të opozitës kanë tërhequr kërkesat për regjistrim.

Zoti Biba thotë se në 18 qershor do të ketë zgjedhje dhe për këtë KQZ po merr çdo masë ligjore.

KQZ ka miratuar deri tani buxhetin e zgjedhjeve, zonat zgjedhore, formularët e trajnimeve dhe udhëzuaes të ndryshëm, auditët e listave zgjedhore brenda afateve ligjore.

Lidhur me mosbesimin mes palëve për manipulim të zgjedhjeve, kryetari i KQZ-së beson se korrupsioni zgjedhor ekziston, por ai ndodhet jashtë ndërtesave ku mbahen zgjedhjet.

Misioni paraprak i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimit të zgjedhjeve shqiptare po kontakton dhe bashkëpunon rregullisht me KQZ dhe ndërkombëtarët kanë marrë kërkesën për një numër sa më të madh vëzhguesish afatshkurtër, ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe disa qindra vëzhgues vendorë.


Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG