Lidhje

Tiranë: Ambasada e SHBA-ve vlerësoi dënimin e grupit kontrabandues të qenieve njerëzore


Gjykata për Krime të Rënda dënoi në Tiranë me 59 vite burg pesë të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar, që trafikonin fshehtas njerëz nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjykata dënoi Nertil Previzi 11.6 vjet burg, Fatos Fasko 14 vjet, Enver Karaj 13 vjet, Fatmir Bakalli 11.6 vjet dhe Nikoll Kolaj me 9 vjet burgim. Gjykata i gjeti ata fajtorë për ndihmë në kalim të paligjshëm të kufirit si grup i strukturuar kriminal.

Procedimi penal ndaj tyre nisi nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit.

Veprimtaria e tyre me organizimin e emigracionit të paligjshëm drejt SHBA-ve nisi në dhjetor të vitit 2013 e në vazhdim.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë mirëpriti këtë dënim të pesë personave për kontrabandë të qenieve njerëzore.

Në një deklaratë të saj thuhet se organizata kriminale, ku ata bëjnë pjesë është përgjegjëse për hyrjen e paligjshme në Shtetet e Bashkuara të më shumë se 600 shtetasve shqiptarë gjatë periudhës së shkurtër që veproi.

“Organizata shfrytëzoi shpresat dhe ëndrrat e emigrantëve të mundshëm, duke i vënë ata në rrezik ndërsa siguroi mbi 15 milionë dollarë si të ardhura kriminale” - theksoi ambasada amerikane.

Dënimi është rezultat i një hetimi të përbashkët të disa agjencive nën udhëheqjen e Byrosë për Sigurinë Diplomatike në Departamentin e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Kontrabandimi i emigrantëve është një krim i rëndë dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndjekin penalisht kontrabandistët sipas të gjitha hapësirave të ligjit amerikan dhe atij shqiptar” - theksoi ambasada amerikane në deklaratën e saj me këtë rast.

Sipas saj, përdorimi i shërbimeve të një kontrabandisti njerëzish për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara është i paligjshëm dhe vendos emigrantë të mundshëm para një mundësie të lartë shfrytëzimi dhe rreziku.

XS
SM
MD
LG