Lidhje

Reagime mbi ndryshimet e njoftuara në KQZ


SHBA në Tiranë shpërndau një deklaratë ku thuhej se ishte i mirëpritur vendimi për të shtyrë votimin e parlamentit mbi anëtarësinë në KQZ.

Diskutimet mbi nismën e shumicës së djathtë për të zëvendësuar antarin e LSI në KQZ vazhduan në Tiranë edhe në mbrëmje, kur dhanë komente drejtues të partive të opozitës, ndërsa ambasada e SHBA-së publikoi një deklaratë me qëndrimin e saj. Kryetari i PS, Edi Rama, deklaroi në televizionin Top Channel se opozita nuk shkel asnjë ligj dhe të njëjtën gjë kërkon edhe nga qeveria gjatë përgatitjes së zgjedhjeve. Por në rast se shumica do ta shkarkojë komisionerin e LSI-së në votimin e radhës në parlament?

“Në rast se kjo do të ndodhte, kjo do të njolloste shumë keq Shqipërinë, do të njolloste shumë keq zgjedhjet, duke njollosur shumë keq kryeministrin personalisht dhe do të bënte që procesi zgjedhor në Shqipëri të ishte tërësisht i kontestuar ndërkombëtarisht” - tha zoti Rama.

Në të njëjtën kohë me aleatin e vet socialist edi rama edhe socialisti tjetër, tashmë opozitar, Ilir Meta, deklaroi në televizionin NEWS 24 se mandatet e antarëve të KQZ-së janë 6 vjeçare, se ata janë zbatues të ligjit dhe nuk kishte rrezik që opozita të manipulojë zgjedhjet, duke patur shumicën në komisione.

“Ky ligj nuk shprehet asgjëkundi në asnjë pikë që nëse një parti kalon nga një koalicion në një koalicion tjetër atëherë komisioneri i propozuar prej zëvendësohet. Nëse do të sihte e shkruar kësthu, atëherë do të ishte e ligjshme. Pse e paskan shqetësim se opozita do të manipuloka zgjedhjet, nëse balanca kalon këtej 3 me 4? Pse këta që duan patjetër raportin 4 me 3 pa patur asnjë referencë ligjore në Kodin që kanë bërë vetë, na qenkan të ndershmit e dynjasë?” - tha zoti Meta.

Ndërsa bisedat televizive të dy aleatëve opozitarë vazhdonin njëkohësisht, ambasada e SHBA në Tiranë shpërndau një deklaratë ku thuhej se ishte i mirëpritur vendimi i sotëm për të shtyrë votimin e parlamentit mbi anëtarësinë në KQZ, dhe se partitë politike nxiteshin që në këtë kohë të bënin diskutime konstruktive dhe konsultime të gjera.

“Shtetet e Bashkuara - theksoi ambasada - u kanë bërë vazhdimisht thirrje aktorëve politikë në Shqipëri, në qeveri dhe në opozitë, që, me veprimet e tyre, të rritin besimin e qytetarëve në ndershmërinë dhe integritetin themelor të procesit zgjedhor. Veprime të tilla do të bënin që rezultati i zgjedhjeve të pranohet nga palët dhe nga publiku, në të mirë të demokracisë dhe integrimit Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike të kombeve.

Ambasada thotë në deklaratën e vet të shpërndarë mbrëmje që anëtarët e KQZ-së u përzgjodhën dhe u emëruan me mirëkuptim ndërpartiak, sipas Kodit Zgjedhor, dhe konsiderohen se janë jopolitikë. Anëtarët e KQZ-së janë betuar, dhe janë të detyruar të kryejnë detyrat për zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri, ndaj SHBA nxit aktorët politikë të riafirmojnë përkushtimin e tyre për integritet dhe transparence kur shqyrtojnë veprime lidhur me përbërjen e KQZ-së.

Edhe BE shpërndau në mbrëmje qëndrimet e veta bashkë me një intervistë të zëdhënësit Peter Stano, të Komisionerit Europian për Zgjerimin Stefan Fule. Në emër të Komisionit Europian ai theksoi pakashumë të njëjtat tema; se administrata zgjedhore duhet t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë profesionale dhe të paanshme, në mënyrë transparente dhe të pavarur. Zoti Stano tha se pavarësia e KQZ-së duhet garantuar dhe se anëtarët e tij janë zotuar të jenë të paanshëm dhe të pavarur.
Ai tha po ashtu se të gjitha palët politike duhet të sigurojnë besueshmërinë e KQZ-së se Kodi Zgjedhor u hartua me mirëkuptim mes qeverisë dhe opozitës ndaj u bëri thirrje gjithë palëve ta rinovojnë urgjentisht këtë mirëkuptim në të mirë të Shqipërisë dhe të qytetarëve.

PD ka deklaruar se LSI e ka marrë atë komisioner si parti e koalicionit qeveritar, dhe tani që ka dalë në opozitë duhet ta lëshojë për të maxhoranca të marrë shumicën bashke me përgjegjësitë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sepse zgjedhjet nuk mund të organizohen nga komsione me shumicë opozitare. Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar tashmë largimin e komisionerit të LSI-së dhe mbetet për t’u parë në seancat e ardhshme nëse do të kryhet zëvendësimi i tij me kandidatë nga Partia Republikane.
XS
SM
MD
LG