Megjithë shqetësimet për pandeminë dhe ato të sigurisë, të cilat bënë që njerëzit të qëndronin larg inaugurimit të presidentit të ri më 20 janar, një komunitet i Uashingtonit u përfaqësua mirë në ceremoninë solemne në shkallët e Kapitolit - trupi diplomatik.
Për shumë prej tyre, ceremonia ishte një riafirmim prekës i forcës dhe qëndrueshmërisë së demokracisë amerikane vetëm 14 ditë pas trazirave me dhunë që tronditën si Amerikën ashtu edhe aleatët e saj në të gjithë botën.
"Në Uashington ka 190 ambasadorë, por unë do të thosha se në ceremoni pati të paktën 180 ambasadorë," i tha Zërit të Amerikës Daniel Mulhall, ambasadori i Irlandës në Shtetet e Bashkuara në një intervistë telefonike. "Nuk mund ta imagjinoj që një i ftuar të mos shkonte, vetëm nëse dikush që ka qenë i sëmurë apo diçka tjetër," tha ai.
Zoti Mulhall tha se ai dhe ambasadorët e tjerë ishin ulur pikërisht përpara Kapitolit ku bënë betimin Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris. "Kishim një pamje shumë të mirë dhe sigurisht që u preka mjaft nga ceremonia, nga fjalimi i presidentit,” tha ai.
“Kam menduar vazhdimisht për faktin që stërgjyshërit e tij kanë lindur në Irlandë dhe të gjithë u larguan nga Irlanda, në rrethana vështirësie dhe privimesh; dhe të mendosh që pasardhësi i tyre bëhet president i SHBA, kjo është mjaft interesante,” tha zoti Mulhall.
Ambasadori shtoi se disa orë para betimit, një violiniste irlandeze luajti një fragment të shkruar nga një kompozitor irlandez gjatë një meshe ku morën pjesë zoti Biden, anëtarë të familjes dhe personalitete të tjera në Katedralen e Shën Mateo Apostullit.
Një ditë më parë, Mulhall ishte takuar me violinisten dhe kishte regjistruar një recitim, të shoqëruar me muzikë, për presidentin e ardhshëm.
Ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Luli-Faber shkruante në faqen e saj në Facebook: "President Biden, ju keni një lidhje të veçantë me vendin tonë dhe me të gjithë shqiptarët. Shqipëria është besimplotë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, duke forcuar partneritetin strategjik gjatë lidershipit tuaj."
Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku përshëndeti inaugurimin e presidentit të ri me fjalët: "Një traditë e vërtetë amerikane"
Martin Weiss përfaqëson Austrinë në Uashington. Ai tha se duke qëndruar i ulur përpara Kapitolit, ishte i mrekulluar nga fakti që kjo festë e demokracisë po ndodhte pikërisht në vendin ku, dy javë më parë, një turmë ishte përpjekur ta detyronte Kongresin të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.
“Nuk mund të harrohet ajo që ndodhi më 6 janar; të gjithë kemi në kokë imazhet e Kapitolit të asaj dite - vetëm disa javë më parë ai dukej shumë ndryshe.”
Ai tha se shumë njerëz folën për tragjedinë dhe dhunën që ndodhi, "por më pas ata vazhduan në një frymë shumë amerikane".
"Unë isha dhe jam shumë i impresionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendosmëria e popullit amerikan," tha André Haspels, ambasadori i Hollandës, në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të Zërit të Amerikës. Ai tha se ishte "i befasuar nga shpejtësia me të cilën qeveria mundi të organizojë një ceremoni që shërbeu për të bashkuar vendin".
Haspels e përshkroi Kapitolin si "një simbol global të normave dhe vlerave demokratike" dhe vuri në dukje se qëndrueshmëria e shfaqur nga të tre degët e qeverisë amerikane - legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive - në ngjarjen e 6 janarit, "duhet të shërbejë si një afirmim se demokracia amerikane është e fortë”.
Weiss shtoi se ishte i inkurajuar nga uniteti dhe shprehjet dy-partiake në ceremoninë e betimit, të drejtuar nga senatorja demokrate Amy Klobuchar dhe senatori republikan Roy Blunt. "Pas 6 janarit, kush mendonte se kjo ishte ende e mundur?" tha zoti Weiss.
“Pas një momenti të tillë kremtues, ju riktheheni tek politika e përditshme, atëherë gjërat shpesh marrin një ton shumë të ndryshëm; por ky është një moment ku ju keni folës nga partia Republikane dhe nga Partia Demokratike, ju i lidhni të gjitha së bashku për atë moment. Unë mendoj se ka shumë rëndësi fakti që ju e shihni këtë si diçka të mundur.”
Ambasadorë nga e gjithë bota postuan fotografi të tyre përpara Kapitolit të bëra në Ditën e Përurimit.
"Të jesh dëshmitar i historisë dhe i transferimit të pushtetit në zemër të demokracisë është një privilegj," tha zoti Haspels.
Ambasadorët nga rreth 200 vende me misione në Uashington i morën ftesat vetëm javën e kaluar.
Zoti Weiss tha se nuk do të ishte befasuar nëse diplomatët do të ishin këshilluar të merrnin pjesë në inaugurim virtualisht, siç ka qenë rasti me aq shumë ngjarje gjatë vitit të kaluar. "Në kohën e pandemisë, asgjë nuk merret si e mirëqenë," tha ai.
"Mendoj se ishte një zgjedhje e vetëdijshme, për të përfshirë trupin diplomatik", tha zoti Weiss, duke shtuar se ai e shikoi ftesën e marrë nga Zyra e Protokollit e Departamentit të Shtetit si një sinjal diplomatik se "Amerika është e hapur për biznesin ndërkombëtar, për marrëdhëniet ndërkombëtare".
Prania e ikonave të kulturës globale pop të lindur e të rritur në Amerikë, si dhe energjia dhe talenti rinor i vendit, që u shpalosën gjatë inaugurimit, nuk kaluan pa u vënë re nga diplomatët.
Ambasadori Haspels tha se i pëlqeu interpretimi i himnit kombëtar nga Lady Gaga. "Një moment që më emocionoi ishte poezia e jashtëzakonshme e lexuar nga poetja laureate e të rinjve Amanda Gorman", tha ai.
Ambasadori Weiss tha se "fuqia e yjeve" ndihmoi për "t’i përfshirë të gjithë” dhe se ishte diçka e mirë që “nuk pati politikanë midis politikanëve që flasin gjuhë politike".
“Për ta përmbledhur, ishte një ngjarje e bukur, një moment pozitiv dhe optimist” për ata që ishin atje, tha ai.
Facebook Forum