Lidhje

Lu: Pasoja nga SHBA kush del kundër reformës


Ambasadori i SHBA-ve, Donal Lu, mori sot pjesë në një tubim proteste të thirrur nga organizatat e shoqërisë civile para parlamentit për të kërkuar miratimin e reformës në drejtësi.

Zoti Lu mori fjalën në këtë tubim, duke bërë thirrje që kjo reformë të miratohet.

Lu: Pasoja nga SHBA kujt del kundër Reformës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

“Dje pas takimit të shkurtër mes zotit Rama, Basha dhe Meta, ekspertët tanë u takuan për 8 orë, deri në 2 të mëngjesit, dhe nuk arritën marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, përse nuk arrijnë kurrë një marrëveshje? Disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje” - tha amb. Lu.

Ai shtoi se dy javë më parë Basha dhe Bylykbashi thanë me zë të fortë që nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.

“Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund Rama u dorëzua. Një proces përzgjedhjeje të quajtur 6+6. Por kjo nuk mjaftonte. Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetin kombëtar nuk mund të pranojnë që të huat të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme” - tha amb.Lu.

Ai shtoi se më 19 maj Basha i tha amb.Lu dhe amb. Vlahutin se “të huajt mund të ishin të vetmit persona, që mund ta pastronin peshkun nga koka”. Zoti Basha u tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të parlamentit europian.

Bylykbashi, sipas tij, e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që dërgoi, por tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.

“Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë u kam dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja, sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. U siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata” - theksoi amb.Lu.

Ai tha se gjatë ditëve të fundit u takua me dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë politike. Zoti Lu kishte bindjen se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë dhe se të gjithë e duan këtë reformë.

“Pyeta nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është gjëja e duhur për Shqipërinë apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e tyre. Shqipëria u themelua nga burra të guximshëm. Ata rrezikuan jetët e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t'u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë” - tha ambasadori Lu ne tubimin e shoqërisë civile.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG