Lidhje

Ambasadori Kelly: Shqipëria të mos braktisë reformat


Përfaqësuesi amerikan në Osbe, flet pas raportit mbi zhvillimet në Shqipëri të paraqitur dje në Këshillin e përhershëm të organizatës nga ambasadori Wollfarth

Ambasadori i misionit të Shteteve të Bashkuara pranë Osbe-së Ian Kelly, i bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë që të vazhdojnë bashkëpunimin e të mos lënë pas dore reformat e nisura. Këto komente ai bëri pas raportit mbi zhvillimet në Shqipëri, të mbajtur dje në Këshillin e përhershëm të Osbe-së në Vjenë nga ambasadori Eugen Wollfarth

Ambasadori Kelly vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria. Ndërsa përshëndeti realizimin e reformës zgjedhore ai paralajmëroi “se miratimi nuk do të jetë shumë domethënës nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që zgjedhja e një kryetari të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të bëhet me proces konsultimi, sa më të paanshëm e transparent që të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Lidhur me zhvillimet politike ambasadori amerikan tha se “fatkeqësisht, zgjedhjet presidenciale të përfunduara në qershor shënuan njëanshmëri të hidhur dhe nuk patën transparencën e duhur, por megjithatë ato ishin shembull paqësor i një praktike themelore demokratike të zgjedhjes së presidentit” Ambasadori Kelly vazhdoi më tej duke vënë në dukje “shqetësimin se mos njëanshmëria që mbizotëroi gjatë gjithë procesit të zgjedhjes së presidentit mund të vazhdojë, apo edhe të shtohet, teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që çdo fushatë zgjedhore pa dyshim kryhet energjikisht dhe me luftë të fortë, të gjitha partitë politike duhet të përpiqen të bëjnë fushata konstruktive dhe të bazuara në çështje që Shqipëria duhet të vazhdojë t’i zgjidhë, çështje kritike për vazhdimin e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit”, theksoi ambasadori amerikan.

Ai vuri në dukje se si “lufta politike që u bë vitin e kaluar për fat të keq zbehu pikëpamjen e botës për Shqipërisë dhe shërbeu të lihej në hije përparimi i madh që ka bërë vendi në 20 vitet e kaluara”. Ambasadori Kelly nënvizoi se “drejtuesit politikë shqiptarë duhet të kenë në mendje interesat më të mira të vendit gjatë fushatës zgjedhore që po troket, në mënyrë që të sigurojnë që përparimi i reformave të mos lihet mënjanë për 12 muajt e ardhshëm”.

Ambasadori i Osbe-së në Tiranë Eugen Wollfarth, paraqiti në Vienë një raport kritik mbi zhvillimet në Shqipëri në 12 muajt e fundit. Ndërsa vlerësoi marrëveshjen mes shumicës dhe opozitës fundvitin e kaluar, e cila i hapi rrugë realizimit të disa reformave të rëndësishme, ambasadori ngre pikëpyetjen nëse ky ritëm do të mund të mbahet në 2013, vit kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme të cilat sipas tij pritet të jenë tejet konkurruese. Ambasadori i Osbe-së shprehet në raport për përparim të pakët në fushën e Shtetit të së drejtës, për korrupsion të përhapur në administratë, dhe kulturën e pandëshkueshmërisë e cila reflektohet në mungesën e ndëshkimit të zyrtarëve të lartë, sic theksoi ai.
XS
SM
MD
LG