Lidhje

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, vizitoi grevën


“Është e drejta juaj të kërkoni që zëri juaj të dëgjohet. Qeverisë i kam kërkuar që të gjejë rrugët e komunikimit me ju” - tha ambasadori Arvizu.

Në Tiranë, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, vizitoi grevistët e urisë në mbrëmje pas aktit vetëflijues të kryetarit të grevës, Gjergj Ndreca. Një ditë më parë kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca, ndërmori një akt vetëflijimi, duke lyer veten me benzinë dhe u përfshi nga flakët, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve mbi kërkesat e grevës së urisë, e cila tashmë është në ditën e 18.

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, vizitoi në mbrëmje grevistët e urisë nga ish të përndjekurit politikë në vendin e grevës dhe kryetarin e tyre, Gjergj Ndreca, në spital pas përpjekjes së tij për vetësakrifikim me lëndë djegëse. Grevistët i shprehën atij vendosmërinë për të vazhduar protestën e urisë, ndërsa greva hyri në ditën e 18. Kjo është hera e dytë që ambasadori Arvizu e viziton grevën brenda një jave.

“Kur ju vizitova javën e kaluar ju fola për dinjitetin, për rëndësinë e dinjitetit njerëzor. Në anglisht ne kemi një thënie të jetosh për të luftuar për një çështje tek e cila besoni. Duhet të vazhdoni që të jetoni për të luftuar për të ardhmen, për çështjen që besoni” - tha ambasadori amerikan.

Ai u kërkoi atyre të mos ndërmarrin akte të tjera lënduese ndaj vetvetes, dhe theksoi se është e drejta e tyre të perpiqen për çështjen që besojnë dhe që zëri i tyre të dëgjohet. Ambasadori Arvizu tha se ish të përndjekurit kanë absolutisht të drejtë të këmbëngulin që zëri i tyre të dëgjohet.

“Më vjen shumë keq dhe u trishtova shumë kur mësova se çfarë ndodhi sot në mëngjes. Është trishtuese të dëgjosh se çfarë vuajtjesh keni kaluar. Së pari, do t’ju kërkoja që të mos bëni asgjë tjetër që do të lëndonte veten tuaj. E kuptoj vuajtjen dhe inatin tuaj, nuk besoj se do të zgjidhni gjë me akte kundër vetes, por keni të drejtë kur këmbëngulni që zëri juaj të dëgjohet” - tha ambasadori Arvizu.

Ai tha se gjatë ditës kish folur me disa persona në koalicionin qeverisës dhe i kish nxitur të bëjnë çdo përpjekje në gjetjen e mënyrës për të komunikuar me grevistët. “Është e drejta juaj të kërkoni që zëri juaj të dëgjohet. Jeni të gjithë shqiptarë. Qeverisë i kam kërkuar që të gjejë rrugët e komunikimit me ju” - tha ambasadori amerikan.

Më parë gjatë ditës pati një seri reagimesh politike. Midis tyre, Luan Rama, përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesëtare e koalicionit qeveritar, tha se “jeta e grevistëve është e shtrenjtë dhe uroj shërim të shpejtë për Gjergj Ndrecën”. Ai i kërkoi qeverisë që të vendosë komunikimin me grevistët dhe çështja të zgjidhet me dialog dhe transparencë.

Ndërsa Lindita Nikolli, përfaqësuese e Partisë Socialiste të opozitës, fajësoi qeverinë si shkaktare të kësaj gjendjeje të ish të përndjekurve politikë, dhe kërkoi që qeveria të mbajë premtimet që i ka bërë kësaj shtrese.

Ish i burgosuri politik i regjimit komunist, Gjergj Ndreca, është kryetari i grevës së urisë të një grupi prej 25 ish të dënuarish të tjerë me kërkesa ekonomike dhe dëmshpërblime, ndërsa dje në mëngjes ai leu trupin me lëndë djegëse dhe njoftoi vetësakrifikimin.

Plagët e marra nga flakët janë të shkallës së dytë të rrezikut për Ndrecën që mbahet në spital në gjendje të rëndë në siptal, ndërsa një tjetër pjesëtar i grevës së urisë u arrestua nga policia, si i dyshuar për ndezjen e zjarrit gjatë përpjekjes për vetëflijim të kryetarit të grevës.
XS
SM
MD
LG