Lidhje

Lu: SHBA mbështet institucionet e reja kundër krimit dhe korrupsionit


SHBA do të mbështetin fuqishëm institucionet e reja shqiptare SPAK dhe BKH në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, deklaroi sot ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Ambasadori Lu tha se korrupsioni në nviele të larta ka kosto të tmerrshme në shoqërinë e qytetarëve të thjeshtë të çdo moshe.

“Ju duhet të prisni që shumë prej kontrabandistëve të drogës dhe krerë të krimit të organizuar në Shqipëri, do të futen në burg. Duhet të prisni që politikanë të lartë të korruptuar, nga e djathta dhe e majta, do të përballen me drejtësinë. Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që kontrabandistë droge, krerë të krimit të organizuar dhe politikanë, gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar” - tha ambasadori amerikan.

Ai tha që pothuajse çdo familje shqiptare është prekur nga inspektorë tatimorë të pangopur që u mbyllin bizneset, biznesmenë të korruptuar me monopole në tregun farmaceutik, dhe që kontrollojnë politikanë në vendimet për tendera dhe prona; gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar kërkojnë para, seks dhe favore të tjera për një vendim gjyqësor korruptiv.

“Korrikun e kaluar, - tha ambasadori Lu, - parlamenti i bëri popullit shqiptar një dhuratë: miratimin e ndryshimeve kushtetuese për krijimin e strukturës së posaçme anti-korrupsion SPAK dhe të byrosë kombëtare të hetimit BKH. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë këto dy institucione do të krijojnë një kapacitet të pavarur të akuzës dhe të hetimit për të kapur krerët e krimit të organizuar dhe zyrtarët e lartë të korruptuar”.

Ambasadori amerikan tha se pritshmëria e opinionit publik shqiptar për reformën e drejtësi është shumë e lartë dhe ndërkohë partitë kryesore politike i kanë dhënë gjithë besimin e tyre Komisionit të Venecias, që pritet të thotë fjalën e vet.

“Shohim prova se këta persona janë tashmë të frikësuar dhe se po përpiqen të luftojnë kundër kësaj reforme. Për shkak të frikës së tyre, ata po sajojnë histori dhe thonë gënjeshtra për Ambasadoren e BE-së, EURALIUS-in dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë Kryetari i Gjykatës Dedja, Gjykata ka dërguar tashmë një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësor” - tha ambasadori Lu.

Të gjitha palët aktualisht janë në pritje të opinionit të Venecias për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Zyrtarët amerikanë dhe shqiptarë i bënë këto komente në një simpozium kundër korrupsionit organizuar nga misioni OPDAT në ambasadën amerikane. Në të folën diplomatë dhe ekspertë nga Kroacia, Rumania dhe SHBA, të cilët sollën përvojat e goditjes së korrupsionit në vendet e tyre.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG